Ish-shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, baronesha Catherine Ashton, nuk do t’i bashkohet ekipit të deleguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ndryshe nga sa u raportua të enjten.
Kështu të paktën ka bërë të ditur për Albanian Post, Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Paloma Caballero.
Gjatë ditës së djeshme mediat në Serbi, bazuar në burimet e tyre jozyrtare, patën raportuar se ish-përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, së shpejti mund t’i bashkohet ekipit të Miroslav Lajçak, për të ndihmuar këtë të fundit me ekspertizën e saj në raport me dialogun Kosovë-Serbi.
Megjithatë një gjë e tillë u mohua nga Zëdhënësja e BE-së. Por, ajo pranoi se diplomati sllovak kontakton rregullisht me diplomaten angleze për çështjen e dialogut.
“Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak, është në kontakt të rregullt me lehtësuesit e mëparshëm dhe personat me njohur të thella në Dialog, duke përfshirë baroneshën Ashton. Megjithatë ajo nuk po i bashkohet ekipit të Lajçak”, ka thënë Caballero për Albanian Post.
Ndryshe më 30 gusht, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në një paraqitje para mediave pati deklaruar se zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, kishte udhëtuar për në Londër për të takuar baroneshën Ashton, me të cilën kanë diskutuar për procesin e dialogut.
Takimin me Ashton e pati konfirmuar edhe vetë Bislimi, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, RTK.
Bislimi, kishte njoftuar se për Asociacionin ka udhëtuar për në Londër, ku ka takuar baroneshën Catherine Ashton, në kohën e së cilës janë nënshkruar disa marrëveshje, mes tyre edhe ajo për Asociacionin.
“Unë udhëtova për në Londër, ku kam bërë një takim me Ashton, dhe kam biseduar se çfarë ka qenë ideja e Asociacionit”, ka thënë Bislimi.
Sipas Bislimit, nga ky takim me Ashton, ka kuptuar se ka mospërputhje të mëdha mes asaj se çka është diskutuar në Bruksel për Asociacion si ide, me atë se çfarë propagandon Serbia te vendet tjera në lidhje me të.
“Asociacioni nuk ka pas kurrë idenë të bëhet mbrojtës i drejtave të serbëve, gjykatat janë mbrojtës të të drejtave, dhe jo OJQ-të”, pati deklaruar ai.
Më 19 nëntor 2009, Catherine Ashton u emërua si Përfaqësuesja e parë e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.
Ashton u përball me kritika në ditët e para të mandatit, ndërsa punoi për të përcaktuar rolin e saj brenda burokracisë më të madhe të BE-së.
Prestigjiozja britanike “The Economist” e përshkroi atë si një të panjohur me përvojë të pakët politike, që nuk kishte një sfond të politikës së jashtme dhe nuk ishte zgjedhur kurrë në asgjë.
Megjithatë, me kalimin e kohës, Ashton u tregua efektive në përfaqësimin e qëllimeve të 28 anëtarëve të BE-së.
Ajo ndërmjetësoi për dy vite bisedimet në mes të dy liderëve të Kosovës dhe Serbisë, që kulmuan në vitin 2013 me një marrëveshje që tentonte normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Përkundër që nën ndërmjetësimin e Ashton, janë arritur disa marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut, normalizimi i raporteve nuk ka ndodhur dhe si më keq shumica prej ujdive sot e kësaj dite nuk janë implementuar në tërësi.
Përpjeka e institucioneve në të dyja vendet për t’i implementuar këto marrëveshje po vazhdon. Shembulli i fundit është ajo për konvertimin e targave dhe reciprocitetit me kartat e identitetit. /Albanianpost.com