Presidenti i SHBA-së, Donald Trump arriti një fitore para Gjykatës së Lartë në mosmarrëveshjen mbi të drejtën e shtetësisë në SHBA.
Gjykata e Lartë vendosi të pezullojë pjesërisht urdhrat e gjyqtarëve federalë, të cilët e kishin ndaluar përkohësisht një urdhër ekzekutiv të Trumpit në të gjithë Shtetet e Bashkuara.
Gjykata e Lartë nuk u ndal tek kushtetutshmëria e dekretit mbi të drejtën e shtetësisë në SHBA, por e argumentoi vendimin e saj duke arsyetuar se ndalesa të tilla në të gjithë vendin e tejkalojnë autoritetin e gjykatave më të ulëta.
Edhe pse shumica konservatore e gjyqtarëve e lanë të hapur mundësinë e bllokimit të urdhrit të presidentit Trump për ndryshimi i ligjit të shtetësisë, Trumpi u shpreh për një “fitore gjigante”.
Kufizimi i së drejtës së shtetësisë
Në kushtetutën e SHBA-së është i sanksionuar parimi jus soli pra parimi i nënshtetësisë në bazë të vendit të lindjes. Kjo do të thotë që të gjithë njerëzit që lindin në territorin e SHBA-së dhe që i nënshtrohen juridiksionit të SHBA-së janë automatikisht nënshtetas – pavarësisht nga statusi i qëndrimit që kanë prindërit e tyre.
Trumpi e vë në pikëpyetje këtë parim dhe menjëherë pas kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, ai nënshkroi një dekret që u mohonte shtetësinë disa grupeve të caktuara të porsalindurish. Prej dekretit janë të prekur fëmijët, nënat e të cilëve nuk kanë status të përhershëm qëndrimi në kohën e lindjes – janë për shembull turiste ose studente – dhe kur babai nuk është shtetas amerikan ose nuk ka leje qëndrimi të përhershme.
Orientim konservator
Përmes emërimit të disa gjyqtarëve konservatorë gjatë mandatit të parë të Trumpit Gjykata e Lartë ka marrë politikisht orientim djathtas. Nga nëntë gjyqtarë, gjashtë konsiderohen si konservatorë dhe vetëm tre konsiderohen liberalë. Kjo pasqyrohet edhe në vendimin për dekretin e së drejtës së shtetësisë që u mor me gjashtë vota pro dhe me tri kundër. /DW/