Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës i ka dhënë një javë afat Qeverisë së Kosovës për plotësimin e kërkesave të tyre, në të kundërtën ka paralajmëruar ndërmarrjen e veprimeve sindikale.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një prononcim për televizionin Syri ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka dëgjuar kërkesat e tyre dhe do të zhvillojë konsultime me ministrat e kabinetit qeverisës për të intensifikuar takimet shtesë.
Kreu i SBASHK-ut ka treguar se kërkesë e tyre është vazhdimi i ndarjes së shumës shtesë prej 100 eurove edhe pas muajit prill, si dhe përfshirja e sindikatave në dialogun mbi Ligjin për pagat.
Jasharaj tha se pas një jave do të dihet nëse qeveria do t’i merr seriozisht kërkesat e tyre, në të kundërtën do të ndërmerren veprime sindikale.
Sipas Jasharaj, të gjitha sindikatat në sektorin e vet do të fillojnë me veprime sindikale.