Sot afati i fundit për marrëveshjen për targat mes Kosovës dhe Serbisë

Afati i fundit për arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për targat e veturave është sot, më 21 prill.

Grupet e negociuesve janë takuar disa herë në Bruksel gjatë këtyre gjashtë muajve që nga arritja e një marrëveshjeje të përkohshme por duket që nuk kanë bërë shumë progres.

Në fund të shtatorit 2021, për të ndaluar bllokadën 13 ditore në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të organizuar nga qytetarët serbë të veriut të Kosovës dhe të mbështetur nga Beogradi, u arrit një marrëveshje e përkohshme.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje simbolet shtetërore të të dy shteteve janë mbuluar në targat e veturave që nga 4 tetori 2021.

Deklaratat e dhëna gjatë këtyre gjashtë muajve tregojnë që BE mund të jetë duke e humbur durimin ndërsa Kosova dhe Serbia vazhdojnë që të mundohen të mos lëshojnë pe.

I dërguari i BE-së për dialogun Serbi-Kosovë, Miroslav Lajçak, i cili një ditë para afatit për marrëveshjen ndodhet në një vizitë zyrtare në Beograd ku do të takojë presidentin Aleksandar Vuçiq, postoi në Twitter më 7 prill se palët u takuan në Bruksel dhe se “me afrimin e afatit (për arritjen e marrëveshjes për targat), është urgjente të arrihet një kompromis për të përmirësuar lirinë e lëvizjes në rajon”.

“Është përgjegjësi e të dyja palëve që të bien dakord për një zgjidhje”, shkroi ai.

Takimet e fundit janë planifikuar për më 20 dhe 21 prill dhe sipas Peter Stano, zëdhënësi kryesor i BE për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, palët “kanë vazhduar të diskutojnë opsionet e identifikuara nga BE”.

“BE ka ndihmuar të dy delegacionet në identifikimin e zgjidhjeve, por është përgjegjësi e të dyja palëve që të bien dakord për një zgjidhje. Ne presim që ata të bëjnë përparim deri më 21 prill”, tha Stano në përgjigjet me shkrim për BIRN. 21 Prilli 2022 është vërtet afati i fundit që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje për targat.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011./Kallxo.com/

Read Previous

Ekipi i Serie C ëndërron transferimin e Ibrahimovic

Read Next

Jasharaj: Qeveria ka kohë një javë për reflektim në kërkesat tona