Të moshuarit në të gjithë botën kanë më shumë gjasa të jenë më socialë sesa të rinjtë, sipas një studimi të ri shkencor ndërkombëtar. Studimi nxjerr në pah se njerëzit e moshuar zakonisht kujdesen më shumë për të tjerët, janë më pak egocentrikë dhe më bujarë se të rinjtë, edhe pse kanë një horizont më të ngushtë kombëtar në bujarinë e tyre.
Kjo është e rëndësishme në mes të një pandemie pasi të moshuarit duket se janë më të gatshëm të marrin masa paraprake, të tilla si mbajtja e distancës dhe mbajtja e maskës. Ata janë edhe më të gatshëm për të bërë donacione të ndryshme, ata madje preferojnë të mbështesin bamirësitë dhe organizatat shoqërore kombëtare, sesa ato të një natyre ndërkombëtare, diçka që të rinjtë priren të bëjnë më shumë, raporton abcnews.al
Hulumtuesit nga tre vende (Britani, Austri, Kanada), të udhëhequr nga psikologu Joe Cutler i Laboratorit të Neuroshkencës Sociale në Universitetin e Birminghamit në Mbretërinë e Bashkuar, botuan gjetjet e tyre në revistën Nature Aging. Studimi përfshiu 46,576 njerëz të moshës 18 deri 99 vjeç nga 67 vende.
U zbulua se ekziston një korrelacion i qartë midis moshës më të vjetër dhe sjelljeve më të dobishme shoqërore. Kjo konfirmon gjetjet e hulumtimeve të mëparshme, sipas të cilave të moshuarit në krizat globale, si një pandemi, shfaqin rritje të reflekseve pozitive sociale, diçka që është e vërtetë në vende dhe kultura shumë të ndryshme.
Studimet e mëparshme kanë treguar se, në krahasim me të rinjtë, të rriturit zhvillojnë marrëdhënie më të mira, zgjidhin më mirë konfliktet shoqërore dhe kanë më shumë gjasa të falin dhe të bëjnë punë vullnetare. Studiuesit theksojnë se epoka jonë karakterizohet nga ndryshime të mëdha demografike, kryesisht për shkak të një rritje të qëndrueshme të jetëgjatësisë dhe një rënie paralele të pjellorisë.
Nëse këto tendenca vazhdojnë, deri në vitin 2050 popullsia botërore mbi moshën 65 vjeç pritet të jetë dyfishuar. Sipas një studimi të ri, një popullsi më e vjetër do të jetë më filantropike dhe bujare.
/abcnews.al