Si u zbuluan autorët e dy grabitjeve në Gjakovë? Policia publikon detajet e hetimit
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se “mund të takohet” me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjatë vizitës së tij në Kinë, duke shtuar se kjo do të varet nga udhëheqësi kinez, Xi Jinping.
“Ne mund ta kemi Kim Jong Unin. Ai mund të vijë. Nuk e di. Kjo varet nga presidenti Xi”, u tha Trump gazetarëve të hënën, teksa po largohej nga Shtëpia e Bardhë.
Trump pritet të udhëtojë drejt Shenzhenit të Kinës më vonë gjatë kësaj jave, për të marrë pjesë në Takimin e Liderëve Ekonomikë të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), ku planifikon të zhvillojë bisedime trepalëshe me Xi Jinpingun dhe presidentin rus, Vladimir Putin.
Trump ka deklaruar vazhdimisht se dëshiron të takohet me liderin e Koresë së Veriut. Koreja e Veriut nuk është anëtare e APEC-ut, ndërsa Kim Jong Un nuk ka konfirmuar ndonjë plan për të marrë pjesë në samit.
Në një konferencë për media të martën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, tha se nuk kishte informacione nëse Kim do të merrte pjesë në takimin e APEC-ut këtë javë.
Megjithatë, mënyra se si udhëton Kim mund ta vështirësojë një takim të papritur. Lideri koreano-verior njihet për udhëtimet me trenin e tij të blinduar rëndë, i cili, sipas raportimeve, lëviz me një shpejtësi mesatare prej 37 miljesh në orë (rreth 60 kilometra në orë). Shenzheni ndodhet më shumë se 1.000 milje (rreth 1.600 kilometra) larg kufirit të Koresë së Veriut.
Në vitin 2019, Kim udhëtoi për dy ditë e gjysmë me tren nëpër Kinë për t’u takuar me Trumpin në Hanoi të Vietnamit.