A po zhbllokohet dialogu Kosovë–Serbi? Çfarë sinjalizojnë takimet në Paris
Gjykata Themelore në Gjakovë ka dënuar me gjashtë vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë një person të akuzuar për veprën penale “Trafikimi me njerëz”.
Sipas komunikatës së Gjykatës, aktgjykimi është shpallur nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ndërsa gjyqtari Samedin Cena e ka shpallur fajtor të pandehurin A.P., pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor.
Sipas aktakuzës, veprimet për të cilat akuzohet i pandehuri dyshohet se kanë ndodhur nga marsi i vitit 2021 deri më 30 janar 2024. Ai akuzohet se përmes kanosjes, forcës, punës së detyruar dhe formave të tjera të kontrollit e ka shfrytëzuar një grua nga Prishtina, duke e detyruar të punonte në disa lokale në Gjakovë, Deçan, Pejë dhe Klinë.
Në komunikatën e Gjykatës thuhet se të gjitha të ardhurat nga puna e saj i merrte i pandehuri, ndërsa në raste të caktuara ajo detyrohej të mbulonte edhe obligimet e tij financiare, përfshirë qiranë e lokalit, pagat e punëtorëve dhe këstet e kredisë.
Dënimi me gjobë prej 3 mijë eurosh do të ekzekutohet 30 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga pranimi i aktgjykimit në formë të shkruar.
Komunikata e plotë e Gjykatës:
KOMUNIKATË PËR MEDIA
Gjakovë, 12 nëntor 2026
Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka shpallur aktgjykim dënues kundër të pandehurit A.P., për vepër penale, “Trafikimi me njerëz”, e dënueshme me Kodin Penal të Republikës së Kosovës
Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, gjyqtari Samedin Cena, të akuzuarin A.P., e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim me burg në kohëzgjatje prej gjashtë (6) vjet dhe dënim me gjobë në shumë tremijë (3,000) euro, i cili dënim do të ekzekutohet tridhjetë (30) ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
I pandehuri A.P., akuzohet se “ nga muaji mars i vitit 2021 deri më 30.01.2024, në Gjakovë, merr pjesë në trafikimin me njerëz, përmes kanosjes, përdorimit të forcës, punës së detyruar dhe veprimeve të tjera të dhunshme e kontrolluese, të përcjella me maltretim fizik dhe psikik, me qëllim të shfrytëzimit për përfitim të të dëmtuarës A.V. nga Prishtina, ashtu që i pandehuri, pasi fillimisht kishte krijuar kontakt me të përmes rrjeteve sociale dhe ishte takuar në lokalin e tij në Deçan, më pas e sjell për të punuar në lokalin e tij “S.”, në Gjakovë, nga muaji mars deri në prill të vitit 2021. Gjatë kësaj periudhe, e dërgon dhe e mban në banesën e tij në Gjakovë, gjoja për shkak të marrëdhënies së dashurisë. Më pas, nga muaji maj i vitit 2021 deri në shtator të vitit 2022, e dërgon për të punuar në lokalin e tij me muzikë live në Pejë, ndërsa deri në muajin nëntor të vitit 2022 e dërgon në fshatin Volljak, Komuna e Klinës, për të punuar po ashtu në një lokal me muzikë live. Në fund, e sjell në Gjakovë, ku e detyron të punojë në lokalin me muzikë live “Te X.”, deri në muajin tetor të vitit 2023. Gjatë kësaj periudhe, e dëmtuara detyrohet të punojë kundër vullnetit të saj, ndërsa të gjitha të ardhurat nga puna e saj i merr i pandehuri. Në rastet kur paratë nga puna e kryer nuk merreshin drejtpërdrejt nga lokalet, i pandehuri e detyronte të dëmtuarën që t’ia mbulonte obligimet e tij financiare, si qiranë e lokalit, pagat e punëtorëve dhe këstet mujore të kredisë.”
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. /tvsyrivision/