A po zhbllokohet dialogu Kosovë–Serbi? Çfarë sinjalizojnë takimet në Paris

Pas zgjedhjeve dhe krizave politike, formimi i institucioneve të reja në Kosovë dhe ndryshimet politike në Serbi mund të krijojnë hapësirë për një angazhim të ri në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Takimet e fundit në Paris kanë rikthyer vëmendjen te hapat e ardhshëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Në Kosovë, zgjidhja e çështjes së presidentit ka mbyllur një prej burimeve të krizës institucionale. Megjithatë, qëndrueshmëria e shumicës parlamentare që mbështet Qeverinë Kurti dhe roli i opozitës mbeten faktorë të rëndësishëm për zhvillimet e ardhshme politike, shkruan Telegrafi.

Ndërkohë, pas zgjedhjeve në Serbi, ardhja e një force të re politike në krye të institucioneve ngre pikëpyetje për qasjen që do të ndjekë Beogradi ndaj Kosovës dhe procesit të dialogut.

Në këtë kontekst, kontaktet diplomatike të ditëve të fundit në Paris kanë vënë në fokus mundësinë e avancimit të procesit.

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, është takuar me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Deleguar të Francës për Evropën, Benjamin Haddad. Sipas njoftimeve të tyre, diskutimet u përqendruan te vazhdimi i dialogut dhe mbështetja franceze për normalizimin e marrëdhënieve.

Pas takimit me Kurtin, Sørensen e lidhi diskutimin për hapat e ardhshëm me formimin e institucioneve në Kosovë.

“Shkëmbim i mirë mendimesh me kryeministrin Kurti sot në Paris. Tani që institucionet në Prishtinë janë formuar, diskutuam për hapat e ardhshëm në dialogun Beograd–Prishtinë dhe aspektet e ndryshme të procesit të normalizimit, të cilat kanë rëndësi për qytetarët në terren dhe për rajonin”, ka shkruar Sorensen në rrjetin social X.

Për takimin ka shkruar edhe kryeministri Albin Kurti, duke theksuar se normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Serbinë duhet të përqendrohet në njohjen reciproke.

Sipas tij, në takimin me Sorensenin, në margjinat e Forumit të Paqes në Paris, u diskutua edhe për stabilitetin e plotë institucional që, siç ka vlerësuar ai, Kosova gëzon pas zgjedhjes së presidentit, si dhe për rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Diskutuam stabilitetin e plotë institucional që gëzon Kosova tani pas zgjedhjes së Presidentit të saj, rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe perspektivat për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruara në njohjen reciproke.

Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, diplomati evropian u takua edhe me ministrin e Francës Benjamin Haddad, në kuadër të Forumit të Paqes në Paris.

Ministri francez i cilësoi diskutimet si shumë produktive dhe ritheksoi mbështetjen e Francës për përpjekjet e ndërmjetësuesit evropian.

“Diskutime shumë produktive në Forumin e Paqes në Paris me Peter Sørensenin, përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Beograd–Prishtinë”, ka shkruar Haddad.

“I rikujtova mbështetjen e plotë të Francës për misionin e tij thelbësor për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, ka shtuar ai, transmeton Telegrafi.

Nga ana e tij, Sorensen falënderoi Francën për ftesën në forum dhe për mbështetjen ndaj procesit.

“Faleminderit Francës për ftesën në Forumin e Paqes në Paris. Bisedë e mirë me Benjamin Haddad. Mirënjohës ndaj Francës për mbështetjen e saj ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar ai, shkruan Telegrafi.

Thirrje për lëvizje në këtë drejtim ka bërë edhe kancelari gjerman, Friedrich Merz. Në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, në kuadër të Procesit të Berlinit mbajtur muajin tetor, ai kërkoi që dialogu të dalë nga ngërçi dhe që mosmarrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të mos pengojnë përparimin e vendeve të tjera të rajonit.

Procesi vazhdon të përballet me pengesa në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, të arritur në vitin 2023, dhe të detyrimeve që burojnë prej saj.

Një prej çështjeve që rëndon marrëdhëniet mbetet sulmi terrorist në Banjskë, më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Institucionet e Kosovës e akuzojnë Serbinë për përgjegjësi në këtë sulm.

Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, pranoi se kishte organizuar dhe marrë pjesë në sulmin e kryer nga një grup i armatosur serb. Ai vazhdon të jetë i lirë në Serbi.

Mbetet për t’u parë nëse zhvillimet e reja politike do të sjellin ndryshim konkret në dialog. Në veçanti, qasja e qeverisë së re serbe ndaj Kosovës dhe orientimi i saj në raport me Perëndimin dhe Moskën do të jenë të rëndësishme për të kuptuar drejtimin që mund të marrë procesi. /Telegrafi/

Read Previous

Gjashtë vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë për trafikim me njerëz në Gjakovë

Read Next

Scott Colom bëhet senatori i parë me ngjyrë nga Mississippi që nga shekulli XIX