Policia bastis shtëpinë e 20-vjeçarit në Gjakovë, gjen 24 qese me marihuanë të gatshme për shitje – ky është i arrestuari

Një 20-vjeçar nga Gjakova ka përfunduar në prangat e Policisë, pasi hetuesit e antidrogës kanë bastisur shtëpinë e tij dhe kanë zbuluar 24 qese me substancë të dyshuar marihuanë, të përgatitura për shitje. Gjatë kontrollit janë gjetur edhe pajisje për peshimin dhe përgatitjen e drogës, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Operacioni është zhvilluar të mërkurën, më 11 nëntor, rreth orës 15:20, në rrugën “Çamëria” në Gjakovë, në bazë të një urdhërese të Gjykatës Themelore.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, i dyshuari është Elvir Llukaci (20), i cili është hasur në shtëpi në momentin kur hetuesit kanë nisur bastisjen.

Gjatë kontrollit të shtëpisë dhe objekteve përcjellëse, zyrtarët policorë kanë gjetur 24 qese të vogla najloni me rreth 31 gramë substancë të dyshuar marihuanë, të cilat, sipas dyshimeve të hetuesve, ishin përgatitur për shitje.

Përveç drogës, janë sekuestruar edhe një peshore digjitale, një pajisje për grimcimin e marihuanës dhe pesë euro para të gatshme.

Pas zbulimit të substancës dhe pajisjeve, për rastin është njoftuar Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda.

20-vjeçari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorisë, është ndaluar për 48 orë.

Rasti është iniciuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Katër vjet në kërkim për aferën 180 mijë euro në Telekom, dorëzohet pronari i “Smart Marketing” – ky është 32-vjeçari që u ndalua

Read Next

LVV-ja dhe PDK-ja ende në negociata për mënyrën e procedimit me Ligjin për Specialen