Disa raste të dhunës në familje dhe një arrestim për narkotikë brenda 24 orëve në Gjakovë

Katër raste të dhunës në familje janë raportuar në Gjakovë, ndërsa Policia ka arrestuar edhe një person nën dyshimin për posedim të narkotikëve.

Sipas raportit 24-orësh të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, në njërin nga rastet e dhunës në familje, një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, për çka ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Në një rast tjetër, një viktimë ka raportuar se është keqtrajtuar nga djali i saj i mitur, i cili aktualisht gjendet në arrati. Ndërsa në rastin e tretë, një person është arrestuar nën dyshimin se ka keqtrajtuar bashkëshorten e tij dhe është dërguar në mbajtje.

Policia ka raportuar edhe për një rast të mëhershëm të dhunës në familje, lidhur me të cilin një person është arrestuar më 11 nëntor dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në rrugën “Çamëria” në Gjakovë, gjatë kontrollit në shtëpinë e një të dyshuari, Policia ka gjetur dhe sekuestruar 24 qese me marihuanë, me peshë rreth 31 gramë, një peshore digjitale, një grinder dhe para të gatshme. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Raporti i plotë i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë:

INCIDENTET KRIMINALE
  • POSEDIM I NARKOTIKËVE – Rr. Çamëria, Gjakovë 11.11.2026-15:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar: 24 qese të vogla najloni marihuanë me peshë rreth 31 gramë, një peshore digjitale, një grinder dhe para të gatshme. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
  • DHUNË NË FAMILJE – Gjakovë 11.11.2026-01:00. Është raportuar se pas një mosmarrëveshje, viktima është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
  • Gjakovë 11.11.2026-15:30. Është raportuar se viktima është keqtrajtuar nga djali i saj i mitur. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor dhe me dëshirën e saj është kthyer në shtëpi, ndërsa i dyshuari gjendet në arrati.
  • Gjakovë 11.11.2026-21:00. Është raportuar se viktima ishte keqtrajtuar nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar është dërguar në mbajtje

Raporti shtesë:

  • DHUNË NË FAMILJE – Gjakovë 09.11.2026-22:30. Lidhur me rastin, me datë 11.11.2026, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. /tvsyrivision/

Read Previous

PDK-LVV me marrëveshje që Ligji për Specialen të votohet sot siç është

Read Next

Haxhiu: Ankesat e pacientëve duhet të sjellin ndryshime në shëndetësi