NASA kërkon astronautë të rinj, të përzgjedhurit mund të jetojnë dhe punojnë në Hënë

Agjencia amerikane e hapësirës, NASA, ka hapur konkursin për astronautë të rinj, disa prej të cilëve mund të jetojnë dhe punojnë në Hënë.

Konkursi është pjesë e planeve ambicioze të NASA-s për rikthimin e njerëzve në sipërfaqen hënore, ndërtimin e një baze të përhershme dhe përgatitjen e misioneve të ardhshme drejt Marsit.

Sipas njoftimit zyrtar të agjencisë, aplikimet janë hapur më 7 nëntor, ndërsa afati i fundit për paraqitjen e tyre është 3 dhjetori 2026.

Administratori i NASA-s, Jared Isaacman, ka deklaruar se astronautët që do të përzgjidhen mund të bëhen pjesë e një kapitulli të ri historik të eksplorimit të hapësirës.

“Personat që do të përzgjedhim mund të ecin në Hënë, të jetojnë dhe të punojnë në bazën hënore, si dhe të ndihmojnë në zhvillimin e sistemeve dhe operacioneve që përfundimisht do t’i dërgojnë ekuipazhet në Mars”, ka deklaruar Isaacman.

Megjithatë, jo të gjithë mund të aplikojnë për këtë mundësi.

NASA kërkon që kandidatët të jenë shtetas amerikanë dhe të kenë kualifikime të avancuara në fusha si inxhinieria, shkencat biologjike, shkencat fizike, matematika apo shkencat kompjuterike.

Mund të aplikojnë edhe profesionistë të mjekësisë dhe pilotë që plotësojnë kriteret përkatëse të kualifikimit dhe përvojës.

Kandidatët duhet të kenë të paktën 3 vjet përvojë profesionale në fushën përkatëse ose përvojën e kërkuar të fluturimit për pilotët, si dhe të kalojnë kontrolle të rrepta mjekësore.

Përzgjedhja përfundimtare pritet të bëhet në fund të vitit 2027, ndërsa kandidatët e suksesshëm do t’i nënshtrohen një programi trajnimi që zgjat rreth 2 vjet.

Gjatë trajnimit, ata do të mësojnë teknikat e ecjes në hapësirë, operimin e sistemeve hapësinore, robotikën dhe aftësi të tjera të nevojshme për misionet jashtë Tokës.

Konkurrenca pritet të jetë e madhe. Në konkursin e mëparshëm, NASA kishte pranuar mbi 8 mijë aplikime, por kishte përzgjedhur vetëm 10 kandidatë në vitin 2025.

Aktualisht, agjencia amerikane ka 32 astronautë aktivë, ndërsa që nga vitet 1960 ka përzgjedhur gjithsej 370 persona për trajnim si kandidatë për astronautë.

NASA synon që përmes programit Artemis të krijojë një prani afatgjatë njerëzore në Hënë, e cila do të shërbejë edhe si bazë për përgatitjen e udhëtimeve drejt Marsit.

Sipas planeve të agjencisë, misioni Artemis IV synon uljen e astronautëve pranë polit jugor të Hënës në vitin 2028, ndërsa astronautët e rinj mund të përfshihen në misionet pasuese.

Përzgjedhja në programin e astronautëve nuk garanton automatikisht udhëtimin në hapësirë, pasi kandidatët duhet të përfundojnë me sukses trajnimin dhe të caktohen në misione konkrete. /KosovaPress/

Read Previous

​Shqipëria përballë Finlandës, kuqezinjtë synojnë ta forcojnë pozitën e liderit