Pas Trumpit, kush do të marrë çelësat e Shtëpisë së Bardhë? Emrat që po përgatiten të dalin në “fushëbetejë” në vitin 2028

Zgjedhjet presidenciale të vitit 2028 në Shtetet e Bashkuara kanë nisur të jenë në qendër të diskutimeve politike, ndërsa pas zgjedhjeve të mesmandatit po qartësohen emrat që mund të hyjnë në garën për Shtëpinë e Bardhë. Sipas një analize të publikuar nga gazeta britanike The Times, të dyja partitë përballen me një garë të hapur, ku ende nuk ka kandidatura zyrtare.

Në kampin demokrat, ndër emrat që përmenden janë guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, ish-nënpresidentja Kamala Harris dhe kongresmenia Alexandria Ocasio-Cortez. Në listën e demokratëve të mundshëm përfshihen gjithashtu senatori Jon Ossoff, guvernatori i Kentakit Andy Beshear dhe guvernatori i Pensilvanisë Josh Shapiro.

Secili prej tyre përfaqëson profile të ndryshme brenda Partisë Demokratike. Neësom ka ndërtuar një profil të fortë kombëtar përmes përballjeve politike me Donald Trump, ndërsa Ocasio-Cortez përfaqëson krahun progresist të partisë. Harris, e cila humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 përballë Trump, mbetet një tjetër emër i mundshëm për një kandidim të dytë.

Në anën republikane, vëmendja përqendrohet te nënpresidenti JD Vance dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio. Të dy përmenden si figura që mund të synojnë të marrin drejtimin e partisë pas përfundimit të mandatit të Trump. Në garën e mundshme mund të përfshihet edhe guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, i cili tentoi të fitonte nominimin republikan në vitin 2024, por u tërhoq nga gara.

Një tjetër sfidë për republikanët do të jetë përcaktimi i raportit me lëvizjen MAGA dhe trashëgiminë politike të Trump. Vance do të duhet të ruajë mbështetjen e bazës së presidentit, ndërsa njëkohësisht të krijojë profilin e tij politik. Rubio, nga ana tjetër, shihet si një figurë që mund të synojë të zgjerojë mbështetjen e republikanëve përtej elektoratit tradicional të partisë.

Sipas Reuters, asnjë nga emrat kryesorë të përmendur në kampin demokrat nuk ka konfirmuar zyrtarisht kandidimin. Edhe Vance dhe Rubio nuk kanë shpallur një vendim për garën e vitit 2028. Trump, për shkak të kufizimit kushtetues, nuk mund të kërkojë një mandat të tretë presidencial.

Kështu, gara e ardhshme pritet të shënojë një fazë të re për politikën amerikane, me demokratët që duhet të përcaktojnë drejtimin dhe kandidatin e tyre, ndërsa republikanët përballen me çështjen e pasuesit të Trump.

Read Previous

Rënie drastike e të hyrave për pagesat ujore, nga mbi 1.4 milionë në 2021 në vetëm 14 mijë euro në vitin 2025

Read Next

Gjukanoviq: Ndryshimi i pushtetit në Serbi s’ka dobi nëse vazhdon e njëjta politikë ndaj Kosovës