Rënie drastike e të hyrave për pagesat ujore, nga mbi 1.4 milionë në 2021 në vetëm 14 mijë euro në vitin 2025

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka shënuar rënie drastike të të hyrave për pagesat ujore nga operatorët privatë përgjatë vitit 2025.

Nga mbi 1.4 milionë euro sa kanë qenë pagesat e operatorëve për shfrytëzimin e ujërave në vitin 2021, në vitin 2025 kjo shifër është vetëm 14 mijë euro.

Sipas një raporti të brendshëm të janarit 2026 që ka siguruar KALLXO.com, të Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore (ARPL), institucion përgjegjës për mbledhjen e këtyre pagesave, arsyeja kryesore për rënien kaq të madhe të këtyre pagesave është për shkak të mungesës së stafit.

Sipas ligjit, operatorët privatë që shfrytëzojnë resurset ujore, bëjnë shkarkim të ujërave ose shfrytëzojnë intertet (p.sh. zhavorrin) janë të obliguar të paguajnë një tarifë të caktuar.

Pagesat për shfrytëzimin e ujërave sipërfaqësorë, nëntokësorë, ujërave minarale dhe termale përcaktohen sipas Udhëzimit Administrativ për Strukturën e Pagesave të Ujit, dhe tarifa varion nga 1 cent deri në 3 cent për metër kub.

Operatorët privatë janë të obliguar të paguajnë tarifë edhe për shkarkimin e ujërave të ndotura, ndërsa lirohen nga pagesa nëse posedojnë impiant për pastrimin e ujërave, të cilat pas shkarkimit janë brenda cilësisë së lejuar sipas Udhëzimit Administrativ për Kushtet, Mënyrat, Parametrat dhe Vlerat Kufizuese të Shkarkimit të Ujërave të Ndotura.

Operatorët privatë që shfrytëzojnë më së shumti resurset ujore janë hidrocentralet, ambalazhuesit (kompanitë private të prodhimit të ujit të pijes), banjat, pishinat dhe hurdhat e peshkut, fabrikat e prodhimit të lëngjëve dhe verërave, industria metalurgjike, seperacionet, fabrikat e betonit, çimentos dhe gomës.

“Gjatë vitit 2025, zbatimi i sistemit të pagesave ujore në Republikën e Kosovës është përballur me një sërë sfidash dhe pengesash me natyrë institucionale, organizative, administrative dhe teknike, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në nivelin e arkëtimit të të hyrave, në efikasitetin e proceseve vendimmarrëse financiare dhe në realizimin e objektivave ligjore për menaxhimin e qëndrueshëm të resurseve ujore”– thuhet në raport

Sipas këtij raporti, zyrtarja përgjegjëse për pagesa brenda ARPL-së për një kohë ka qenë në pushim pa pagesë, e më pas ishte sistemuar në një pozitë tjetër brenda ARPL-së.

“Si pasojë e mungesës së stafit të sistematizuar dhe të verifikuar në kohë, një pjesë e konsiderueshme e procesve për akte ujore, të analizës ekonomike, përgatitjes së vendimeve financiare dhe monitorimit të obligimeve nga pagesat ujore është zhvilluar në kushte të kapaciteteve të kufizuara njerëzore, duke pasur parasysh edhe atë që u tha më lartë, zyrtarja e pagesave ishte sistemuar në një pozitë tjetër”– thuhet në raport. /Kallxo

Read Previous

Spanja i kërkon TikTok-ut pezullimin e platformës deri në pastrimin e plotë të përmbajtjeve të paligjshme

Read Next

Pas Trumpit, kush do të marrë çelësat e Shtëpisë së Bardhë? Emrat që po përgatiten të dalin në “fushëbetejë” në vitin 2028