MASH: Librat shkollorë duhet të kthehen në fund të vitit mësimor
Ministria e Arsimit dhe Shkencës u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të kujdesen për ruajtjen e teksteve dhe materialeve shkollore të subvencionuara për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën, pasi ato duhet të kthehen në shkolla në përfundim të vitit mësimor.
Përmes një njoftimi, MASH ka rikujtuar se nxënësit dhe prindërit kanë përgjegjësi për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e librave në gjendje të përshtatshme, në mënyrë që të mund të përdoren edhe nga gjeneratat e ardhshme.
Sipas Ministrisë, dorëzimi i teksteve shkollore duhet të bëhet te kujdestari i klasës, në përfundim të vitit mësimor.
Ky obligim, siç theksohet në njoftim, përcaktohet me Udhëzimin Administrativ të MASH Nr. 13/2016 për pajisjen e nxënësve me tekste shkollore, si dhe përmes deklaratës që prindërit kanë nënshkruar gjatë përfitimit të subvencionimit për vitin shkollor 2026/2027.
Në të njëjtën kohë, Ministria ka bërë me dije se Inspektorati i Arsimit do të nisë nga java e ardhshme vizitat në shkolla për të verifikuar nëse nxënësit janë pajisur me tekstet shkollore për të cilat janë ndarë mjetet e subvencionimit.
Gjatë këtyre vizitave do të kontrollohet gjithashtu nëse procesi mësimor po zhvillohet në mënyrë të rregullt.
MASH u ka bërë thirrje prindërve që të tregojnë kujdes të shtuar ndaj librave, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së tyre për ripërdorim nga nxënësit e viteve të ardhshme. /RTKlive