Publikohet lista e futbollistëve të grumbulluar në kombëtaren shqiptare për dy sfidat e nëntorit
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” është hapur të premten ekspozita “Kosova e Kadaresë”, kushtuar 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.
Ekspozita është organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Shtëpia Studio Kadare – Bashkia Tiranë.
Në hapje të ekspozitës, zëvendësministrja e parë e Kulturës dhe Turizmit, Nora Arapi-Krasniqi, vlerësoi kontributin e Kadaresë në afirmimin e letërsisë shqipe në botë, duke theksuar se ai ishte më shumë se një shkrimtar për Kosovën.
Ajo tha se Kadareja vuri autoritetin dhe famën e tij ndërkombëtare në funksion të çlirimit të Kosovës dhe kundërshtimit të politikave spastruese e diskriminuese ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi.
“Për ne në Kosovë, Kadareja ishte më shumë se një shkrimtar i madh. Ai ishte një nga personalitetet intelektuale me ndikim ndërkombëtar, që vuri autoritetin dhe famën e tij si shkrimtar i shquar në funksion të çlirimit të Kosovës dhe ndaljes së politikave spastruese e diskriminuese ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Veprat e tij na shoqëruan në vite të vështira, na dhanë forcë dhe na kujtuan se fjala mund të jetë rezistencë, kujtesë dhe shpresë. Kadareja nuk e ndau çështjen e Kosovës nga angazhimi i tij intelektual. Ai e mbrojti të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe e përdori autoritetin e tij si shkrimtar për ta bërë të dëgjueshme këtë çështje edhe përtej hapësirës shqiptare”, tha Arapi-Krasniqi.
Ndërkaq, drejtoresha e Përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, tha se Kadare i përket kategorisë së rrallë të shkrimtarëve që përmes veprës së tyre krijojnë një univers të tërë letrar.
Ajo theksoi se për ta kuptuar plotësisht një shkrimtar, nuk mjafton vetëm leximi i veprave të tij, por duhet të njihen edhe gjurmët që ka lënë përtej librave të botuar.
“Me një vepër që ka kapërcyer kufijtë e gjuhës dhe të hapësirës shqiptare, ai e bëri letërsinë shqipe pjesë të dialogut të madh të kulturës së letrave botërore, duke shndërruar historinë, mitet, kujtesën dhe fatin e njeriut në lëndë të një krijimtarie me përmasa universale. Pikërisht këtë mundësi ofron ekspozita ‘Kosova e Kadaresë’, kushtuar 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit. Një udhëtim nëpërmjet dokumenteve dhe materialeve që na e sjellin atë më pranë, jo vetëm si autor të një vepre të jashtëzakonshme letrare, por edhe si intelektual të angazhuar në historinë e kohës së tij”, tha Rogova Gaxha.
Në këtë ngjarje, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, vlerësoi se Kadare arriti ta bëjë gjuhën shqipe pjesë të letërsisë së madhe botërore dhe përvojën historike të shqiptarëve pjesë të kujtesës universale.
Ai tha se shkrimtari mbeti thellësisht i lidhur me rrënjët, identitetin dhe historinë shqiptare, ndërsa Kosova zinte një vend të veçantë në ndërgjegjen e tij historike.
“Përmes fuqisë së fjalës, ai e bëri gjuhën shqipe pjesë të letërsisë së madhe botërore dhe përvojën historike të shqiptarëve pjesë të kujtesës universale. Ai i dha letërsisë sonë shqiptare një përfaqësim dhe një jehonë ndërkombëtare të jashtëzakonshme, duke mbetur njëkohësisht thellësisht i lidhur me rrënjët, me identitetin, me historinë tonë. Për Kadarenë ajo nuk ishte një realitet i largët apo thjesht një temë letrare. Ajo ishte pjesë e ndërgjegjes së tij historike dhe e përgjegjësisë së tij intelektuale”, u shpreh Malaj
Ekspozita sjell materiale dhe dokumente që pasqyrojnë lidhjen e Ismail Kadaresë me Kosovën, krijimtarinë e tij letrare dhe angazhimin intelektual në periudha të rëndësishme të historisë shqiptare. /KosovaPress/