Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar një muaj paraburgim ndaj shtetasit të Shqipërisë, G.Rr., nën dyshimin për shitblerje të paautorizuar të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje. Gjatë kontrollit në banesën e tij janë sekuestruar mbi një kilogram kokainë, marihuanë, një armë automatike dhe 64 fishekë.
Komunikata e plotë e Gjykatës Themelore në Gjakovë:
KOMUNIKATË PËR MEDIA
Gjakovë, 29 tetor 2026
Gjykata Themelore në Gjakovë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit G.Rr., shtetas i Republikës së Shqipërisë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas kërkesës së prokurorisë, ndër të tjera, ceket se ekziston dyshim i bazuar se i pandehuri G.Rr. më datë 27.10.2026 rreth orës 12:00 në Rr.”Fadil Nimani” në Gjakovë, me qëllim të shitjes ose shpërndarjes pa autorizim posedon, substanca apo preparate të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë, substanca psikotrope ose analoge. Gjatë kontrollit të banesës, të realizuar sipas urdhëresës së Gjykatës Themelorë ne Gjakovë, janë gjetur dhe sekuestruar substanca të dyshuara narkotike të llojit kokainë, me peshë prej 1 Kg e 9.35 gram, si dhe substanca të dyshuara të llojit marihuanë, me peshë prej 4.14 gramë. Po ashtu, janë sekuestruar një (1) peshore elektrike, para të gatshme në shumën prej 1,175 euro, 200 franga zvicerane, 1 dollar amerikan, 200 lekë dhe 100 rubla ruse, si dhe një (1) armë automatike, tre (3) karikatorë dhe gjithsej 64 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Sulltan Dobraj, pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.
Me këtë vendim, i pandehurit G.Rr., do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data e arrestimit me 27 tetor 2026 deri më 27 nëntor 2026.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /tvsyrivision/