Gjigantët e naftës shënojnë fitime rekord, ndërsa lufta në Lindjen e Mesme rrit çmimet
Rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në Shtetet e Bashkuara u përshpejtua ndjeshëm në tremujorin e tretë, duke arritur në 3,4 për qind në bazë vjetore, e nxitur nga investimet dhe konsumi familjar, sipas të dhënave zyrtare të publikuara sot.
Në tremujorin e dytë, rritja ekonomike kishte qenë 2,2 për qind.
Byroja e Analizave Ekonomike (BEA), institucioni zyrtar amerikan i statistikave ekonomike, përdor normën vjetore, e cila projekton për të gjithë vitin ecurinë e vërejtur gjatë një periudhe tremujore. Krahasuar me tremujorin paraardhës, ekonomia u rrit me 0,8 për qind.
Analistët parashikonin një ecuri shumë të fortë, por disi më të moderuar, me një rritje prej 3,1 për qind në bazë vjetore, sipas parashikimeve mesatare të publikuara nga “MarketWatch”.
Publikimi i këtyre të dhënave vjen pak ditë përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në Shtetet e Bashkuara. Sondazhet tregojnë se Partia Republikane e presidentit Donald Trump ndodhet në një pozitë të pafavorshme, veçanërisht për shkak të kostos së jetesës.
Një ditë më parë, kryetari i Rezervës Federale të SHBA-së (Fed), Kevin Warsh, kishte theksuar fuqinë e aktivitetit ekonomik në ekonominë më të madhe në botë, të mbështetur nga qëndrueshmëria e konsumit dhe investimet në teknologjitë e përparuara, veçanërisht në inteligjencën artificiale.
I pyetur nëse ekonomia mund të jetë duke u mbinxehur, ai u përgjigj se ky nuk ishte vlerësimi i shumicës së kolegëve të tij në drejtimin e bankës qendrore.
“Produktiviteti po rritet (…). Prandaj, rritja ekonomike është më e fortë, por kjo nuk më lejon të arrij në përfundimin se rritja është në njëfarë mënyre shkak i inflacionit dhe se po e vështirëson punën tonë”, shtoi ai.
Rezerva Federale ka për detyrë të krijojë kushtet për punësim të plotë dhe ta mbajë inflacionin në nivelin 2,0 për qind, një objektiv që nuk është arritur prej më shumë se pesë vitesh. /ATSH-AFP/