Gjigantët e naftës shënojnë fitime rekord, ndërsa lufta në Lindjen e Mesme rrit çmimet

Gjigantët e naftës dhe gazit,” Shell” dhe “TotalEnergies”, raportuan sot rritje të ndjeshme të fitimeve neto tremujore, ndërsa lufta në Lindjen e Mesme ka çuar në rritjen e çmimeve të hidrokarbureve dhe të kostos së jetesës në mbarë botën.

Kompania britanike “Shell” bëri të ditur se fitimi pas taksave u më shumë se dyfishua në tremujorin e tretë, duke arritur në 12,1 miliardë dollarë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndërkohë, kompania franceze “TotalEnergies” regjistroi fitim neto rekord prej 8,3 miliardë dollarësh gjatë periudhës korrik-shtator.

Rritja e çmimeve të lëndëve djegëse fosile ndihmoi edhe grupin spanjoll “Repsol”, i cili katërfishoi fitimin neto gjatë nëntë muajve të parë të vitit, duke e çuar atë në 5 miliardë euro, ose 5,6 miliardë dollarë.

Kompanitë e mëdha energjetike po përfitojnë nga ndërprerjet e furnizimit me naftë dhe gaz në Lindjen e Mesme, të cilat kanë rritur marzhet e përpunimit dhe çmimet.

Gjiganti britanik “BP” dhe kompanitë amerikane Chevron dhe “ExxonMobil” pritet të publikojnë rezultatet financiare për tremujorin e tretë të premten.

“Shell” dhe “TotalEnergies” kanë shfrytëzuar rritjen e fitimeve për të shtuar pagesat për aksionarët.

Megjithatë, kompanitë janë kritikuar për përfitimet e larta në një kohë kur faturat e energjisë dhe çmimet e karburanteve po rëndojnë familjet dhe bizneset, duke ushtruar presion mbi inflacionin global.

Qeveria franceze i kërkoi sot “TotalEnergies” të japë shembull duke ua kaluar konsumatorëve kursimet që vijnë nga çlirimi i rezervave strategjike të naftës për prodhimin e naftës së gazuar.

Zëdhënësja e qeverisë, Maud Bregeon, deklaroi se kompania duhet të ulë çmimet dhe të vazhdojë t’i mbajë ato të kufizuara për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Franca shpresonte që lirimi i 10 milionë fuçive naftë për shpërndarësit të ulte çmimin në pompa me 12 deri në 18 cent për litër, por drejtori ekzekutiv i “TotalEnergies”, Patrick Pouyanné, vlerësoi se ulja për konsumatorët do të ishte vetëm 8 deri në 12 cent për litër.

Ndërkohë, në Britaninë e Madhe, aktivisti i organizatës “Greenpeace”, Philip Evans, i bëri thirrje qeverisë britanike të vendosë taksa ndaj kompanive të naftës për dëmet e mëdha që, sipas tij, po shkaktojnë.

Ai argumentoi se fitimet e larta të kompanive janë veçanërisht problematike në një kohë kur pasojat e krizës klimatike po ndihen vazhdimisht në BM dhe në mbarë botën.

Nga ana tjetër, qeveria franceze paralajmëroi se kritikat ndaj ”TotalEnergies” nuk duhet të shndërrohen në një fushatë të padrejtë kundër kompanisë.

Fitimet e “Shell” u nxitën veçanërisht nga marzhet rekord të rafinimit, të cilat matin diferencën mes çmimit të naftës bruto dhe çmimeve të karburanteve të përftuara prej saj.

Ndërprerjet e prodhimit dhe eksporteve të produkteve të rafinuara në Lindjen e Mesme kanë kufizuar furnizimin global, duke favorizuar rafineritë që nuk janë prekur nga konflikti.

Sipas të dhënave të “Bloomberg”, marzhet arritën në 42 dollarë për fuçi në tremujorin e tretë, nga 24 dollarë në periudhën prill-qershor, duke tejkaluar rekordin e vendosur pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.

Kufizimet logjistike dhe vendimi i Rusisë për të ndaluar eksportin e disa produkteve, përfshirë benzinën dhe naftën dizel, pas sulmeve ukrainase me dronë ndaj infrastrukturës së saj energjetike, kanë ndikuar më tej në treg.

“Shell” raportoi gjithashtu rritje të fortë të të ardhurave, në 92,8 miliardë dollarë, ndërsa çmimet e larta të gazit natyror kontribuuan në rezultatet pozitive. /ATSH-AFP/

Read Previous

Ekonomia amerikane tejkalon pritshmëritë me rritjen 3,4%

Read Next

Taulant Balla: Agjenda europiane nuk ndalet nga flakadanët