Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur një delegacion prej 11 anëtarësh nga nëntë shtete të ndryshme, të Komisionit për Politikë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për bashkëpunimin dhe hapat e ardhshëm në raport me sigurinë, zhvillimin demokratik dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.
Ai ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet prioritet strategjik i vendit, duke e cilësuar atë si një proces me rëndësi për paqen dhe sigurinë afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë.
“Për Republikën e Kosovës anëtarësimi në NATO është prioritet strategjik, që i shërben paqes së qëndrueshme dhe sigurisë afatgjatë të Ballkanit Perëndimor dhe mbarë Evropës”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, në takim është diskutuar edhe për përparimin demokratik, zhvillimin e vazhdueshëm ekonomik dhe situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon. /RTKlive