Jusuf Azemi: Nga janari do të kërkojmë pagë minimale 600 euro

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka deklaruar se sindikata do të kërkojë rritjen e pagës minimale në 600 euro, duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Azemi paralajmëroi se punëtorët mund të ndërmarrin veprime sindikale nëse kërkesat për përmirësimin e pagave dhe kushteve të punës nuk merren parasysh.

Sipas tij, punëtorët nuk pritet të pajtohen që edhe më tej të paguhen me rreth 500 euro, ndërsa institucionet dhe kompanitë duhet të jenë të përgatitura për mundësinë e grevave.

“Ne duhet të luftojmë që së paku minimumi nga 1 janari i vitit të ardhshëm të jetë 600 euro”, ka deklaruar Azemi.

Ai ka ngritur shqetësime edhe për zbatimin e vendimit aktual për pagën minimale, duke theksuar se sindikata po përballet me një situatë ku, përveç kërkesës për rritje të pagave, duhet të kërkojë edhe respektimin e vendimeve që tashmë janë marrë nga institucionet.

Azemi tha se sindikata ka informuar kompanitë për mundësinë që punëtorët të kërkojnë paga dhe kushte më të mira, ndërsa paralajmëroi se në rast të mungesës së ndryshimeve mund të ketë greva apo edhe largim të punëtorëve nga vendet e tyre të punës.

“Fuqia e punëtorëve është më e kërkuar se asnjëherë më parë”, u shpreh ai.

Kreu i Sindikatës së Sektorit Privat kritikoi gjithashtu institucionet për mënyrën se si po zbatohet vendimi për pagën minimale. Ai tha se vendimet e Qeverisë duhet të respektohen dhe se institucionet duhet të sigurohen që ato të zbatohen në praktikë.

Azemi përmendi edhe rastin e Ministrisë së Punës, duke pretenduar se punëtorët e saj janë paguar deri vonë në kundërshtim me nivelin e përcaktuar të pagës minimale.

Sipas tij, sindikata do të vazhdojë të kërkojë përmirësimin e pozitës së punëtorëve, por paralelisht kërkon që edhe vendimet e miratuara nga Qeveria të zbatohen nga vetë institucionet.

“Ne duhet të luftojmë për një gjendje edhe më të mirë, por njëkohësisht duhet të luftojmë që të respektohen vendimet që i ka nxjerrë vetë Qeveria”, tha Azemi. /tvsyrivision/

Read Previous

Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj do të mbrojë titullin kampion bote në Tiranë, më 23 tetor duel me rivalin australian

Read Next

Shengen për vendet e Ballkanit Perëndimor – për çfarë bëhet fjalë?