Sa para do të kem kur të dal në pension?

Një hulumtim mbi atë se sa i njohin të rinjtë në Kosovë kursimet e tyre pensionale, ku investohen ato dhe sa e kuptojnë mekanizmin që përcakton vlerën e pensionit të tyre në të ardhmen.

Çdo muaj, një pjesë e pagës së qytetarëve në Kosovë ndahet për kursimet pensionale. Për një 20- apo 30-vjeçar, pensionimi mund të duket shumë larg. Vëmendja është te paga, shpenzimet, familja dhe nevojat e së tashmes. Por paratë që sot duken si një zbritje mujore nga paga po ndërtojnë gradualisht një pjesë të sigurisë financiare të së ardhmes. Kjo ngre një pyetje të rëndësishme:

Sa i njohin qytetarët paratë që po i kursejnë për pension? A e dinë sa kanë grumbulluar, sa prej shumës janë kontribute dhe sa vjen nga investimet? A e kontrollojnë llogarinë e tyre? A e dinë ku investohen këto mjete dhe çfarë ndodh me to gjatë viteve? Këto pyetje janë pikënisja e këtij hulumtimi. Çfarë dinë të rinjtë për kursimet e tyre? Për të parë nivelin e informimit, është realizuar një hulumtim përmes një formulari anonim me 50 respondentë të moshës 20 deri në 35 vjeç.Qëllimi ishte të kuptohej jo vetëm nëse të rinjtë kanë kursime pensionale, por sa e njohin sistemin në të cilin po kontribuojnë. Nga 50 respondentët, 27 për qind kanë deklaruar se nuk e dinë sa para kanë aktualisht në Trust.Po ashtu, rreth 40 për qind kanë thënë se nuk e kanë kontrolluar llogarinë e tyre në Trust gjatë gjashtë muajve të fundit.Këto të dhëna tregojnë një hendek të mundshëm ndërmjet kontributit financiar dhe njohurisë financiare. Të rinjtë kontribuojnë në sistem, por një pjesë e tyre nuk e ndjek rregullisht gjendjen e kursimeve. Rezultatet duhet të lexohen me kujdes, pasi 50 respondentët nuk përfaqësojnë të gjithë të rinjtë e Kosovës. Megjithatë, ato mund të shërbejnë si sinjal për nevojën e një hulumtimi më të gjerë mbi edukimin financiar.

Kontributet dhe kthimi nga investimet

Një tjetër pyetje e hulumtimit ishte: “A e di sa prej shumës janë kontribute dhe sa rezultat i investimit?” Përgjigjet kanë qenë të ndryshme. Disa respondentë kanë dhënë vlerësime të përafërta, ndërsa të tjerë kanë deklaruar se nuk e dinë. Ndër përgjigjet ishte edhe vlerësimi se rreth 90 për qind e shumës janë kontribute. Kjo tregon se për një pjesë të pjesëmarrësve nuk është plotësisht e qartë se bilanci i llogarisë nuk përbëhet vetëm nga paratë e paguara nga paga, por edhe nga kthimet e gjeneruara nga investimet. Pra, për të kuptuar kursimet pensionale nuk mjafton pyetja “sa kam paguar?”, por edhe “çfarë ka ndodhur me këto para pasi janë paguar?”.

Ku janë paratë e kursimeve pensionale?

Hulumtimi ka përfshirë edhe pyetjen:“Ku mendon se janë fizikisht këto para?” Nga 50 respondentët, 38 janë përgjigjur se paratë janë në llogarinë e Trustit, ndërsa pjesa tjetër është shprehur se nuk e di. Vetëm dy respondentë kanë dhënë një përgjigje më të saktë, duke thënë se paratë janë në emër të tyre në llogarinë e Trustit.Këto përgjigje tregojnë dallimin ndërmjet të pasurit një llogari pensionale dhe të kuptuarit se si funksionon ajo. Mjetet regjistrohen në llogarinë individuale të pjesëmarrësit dhe investohen në përputhje me strategjinë e përcaktuar për grupmoshën.

4.3 miliardë euro kursime

Sipas të dhënave të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, vlera totale e kursimeve pensionale është:4,333,246,356 euro.Prej tyre: 2,981,706,817.56 euro janë kontribute të akumuluara të pjesëmarrësve;1,351,539,538.44 euro janë kthime neto nga investimet.Kthimet neto nga investimet përbëjnë rreth 31.2 për qind të vlerës totale të kursimeve.Kjo tregon se kursimi pensional nuk është vetëm proces i mbledhjes së kontributeve. Një pjesë e rëndësishme e vlerës së akumuluar lidhet me mënyrën se si këto mjete investohen dhe me performancën e investimeve.

Çfarë ndodh me paratë pasi paguhen?

Sipas FKPK-së, mjetet e paguara konvertohen në njësi të fondit dhe regjistrohen në llogarinë individuale të kursimeve pensionale. Më pas investohen në tregje financiare, në përputhje me strategjinë dhe politikën e investimeve. Kjo do të thotë se 10 eurot që paguhen sot nuk mbeten thjesht 10 eurot të ruajtura, por bëhen pjesë e një portofoli investimesh.Investimet përfshijnë, ndër të tjera, letra me vlerë globale, indekse të aksioneve ndërkombëtare si MSCI World dhe S&P 500, si dhe letra me vlerë shtetërore me risk më të ulët.Për këtë arsye, vlera e kursimeve mund të rritet, por edhe të bjerë, në varësi të zhvillimeve në tregjet financiare.

Koha dhe risku

Ekspertja e pavarur financiare i intervistuar për këtë hulumtim thekson rëndësinë e raportit ndërmjet riskut, kthimit dhe kohës. Një kthim potencialisht më i lartë zakonisht lidhet me një nivel më të lartë risku, ndërsa një horizont i gjatë investimi krijon më shumë hapësirë për përballimin e luhatjeve afatshkurtra. Megjithatë, koha nuk e eliminon riskun.Për këtë arsye, strategjia e investimit përshtatet me moshën e pjesëmarrësit.FKPK ka tri kategori portofolesh:

Portofoli Standard– për moshat 16 deri në 57 vjeç, me investime kryesisht në aksione;

Portofoli i Balancuar -për moshat 58 deri në 62 vjeç, me kombinim aksionesh dhe obligacionesh;

Portofoli Konservativ-për moshat 63 vjeç e tutje, me fokus më të madh në bono dhe depozita. Kështu, ekspozimi ndaj riskut ndryshon gradualisht me afrimin e pensionimit. Informacioni nuk mjafton gjithmonë. Të kesh qasje në informacion nuk do të thotë domosdoshmërisht se e kupton atë.Një qytetar mund ta shohë bilancin e llogarisë së tij, por nëse nuk e di sa janë kontributet, sa janë kthimet nga investimet, çfarë nënkupton risku dhe pse bilanci ndryshon, njohuria e tij mbetet e pjesshme.Për këtë arsye, edukimi financiar duhet të përfshijë jo vetëm rëndësinë e kursimit, por edhe kontributet, kthimet nga investimet, riskun, inflacionin dhe ndikimin e kohës.Institucionet, përfshirë Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, kanë hapësirë për të kontribuar në këtë drejtim përmes materialeve edukative, kalkulatorëve financiarë, simulimeve dhe informimit më të thjeshtë për qytetarët.

Nga përdorues pasiv në pjesëmarrës të informuar

Ky hulumtim nuk synon të tregojë vetëm se sa dinë apo nuk dinë 50 respondentët.Ai synon të evidentojë një nevojë më të gjerë: qytetari duhet të jetë pjesëmarrës i informuar në sistemin e kursimeve pensionale.Të kontrollojë llogarinë e tij, të kuptojë bilancin, të dallojë kontributet nga kthimet e investimeve dhe të kuptojë faktorët që ndikojnë në vlerën e kursimeve.Fakti që 27 për qind e respondentëve nuk e dinë sa para kanë në Trust dhe 40 për qind nuk e kanë kontrolluar llogarinë gjatë gjashtë muajve të fundit është një sinjal për nevojën e më shumë informimit. Megjithatë, duhet të përsëritet se 50 respondentët nuk përfaqësojnë të gjithë të rinjtë e Kosovës. Për këtë arsye, rezultatet nuk mund të përgjithësohen në nivel vendi. Pensioni fillon sot. Pyetja “Sa para do të kem kur të dal në pension?” nuk ka sot një përgjigje të vetme. Shuma e ardhshme varet nga kontributet, koha, të ardhurat, kthimet nga investimet, inflacioni dhe zhvillimet në tregjet financiare. Por përgjigjja fillon me paratë që paguhen sot.Fillon edhe me 10 eurot që mund të duken si një shumë e vogël. Ato regjistrohen në llogarinë individuale, konvertohen në njësi të fondit dhe investohen. Me kalimin e viteve, vlera e tyre mund të ndryshojë në varësi të kontributeve dhe performancës së investimeve. Prandaj, pensioni i nesërm nuk është vetëm rezultat i asaj që paguajmë sot. Është rezultat edhe i kohës, investimeve, luhatjeve të tregut, inflacionit dhe njohurive financiare.

“A e di se si po punojnë këto para për të ardhmen time?” Ky është thelbi i këtij hulumtimi, të evidentojë nivelin e informimit të të rinjve për kursimet e tyre pensionale, boshllëqet në njohuritë financiare dhe nevojën për më shumë edukim, transparencë dhe informim.

Sepse pensioni nuk fillon ditën kur dalim në pension por ai fillon me kontributin që bëjmë sot.

Artikull i punuar nga Eldita Mullahasani

Read Previous

Protesta në qytetet e Kosovës kundër aktgjykimit të Speciales

Read Next

Rama: Paqja është kusht politik që zhvillimi ekonomik e bën të mundur