Dita Botërore e Farmacistëve, Bytyqi: Duhet të fuqizohet roli i farmacistit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova po shënon në hartën e turizmit ndërkombëtar dhe se institucionet po angazhohen për zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori, në përputhje me standardet dhe prioritetet e Organizatës Botërore të Turizmit – UN Tourism.
Në fjalimin e tij me rastin e Ditës Botërore të Turizmit, Kurti ka vënë në pah pasuritë natyrore, trashëgiminë kulturore dhe historike, si dhe potencialin e Kosovës për zhvillimin e turizmit.
“Republika e Kosovës po shënon në hartën e turizmit ndërkombëtar dhe po angazhohet për një zhvillim të qëndrueshëm, në përputhje me standardet dhe prioritetet e Organizatës Botërore të Turizmit, UN Tourism. Si shtet i ri, me popullsi të re e popull të lashtë, me një trashëgimi të pasur kulturore dhe historike, si dhe me pasuri natyrore të jashtëzakonshme, Kosova prezantohet para botës si një destinacion i sigurt, mikpritës dhe i vendosur për të ndërtuar një sektor modern, atraktiv dhe konkurrues”, theksoi ai.
Duke folur për zhvillimet në sektorin e turizmit, kryeministri ka përmendur rritjen e numrit të vizitorëve në vitet e fundit dhe ka theksuar se ky sektor po shënon rritje të vazhdueshme.
“Të dhënat tregojnë qartë se turizmi në Kosovë është një sektor gjithnjë e më premtues. Në katër vitet e fundit, turizmi në vendin tonë ka shënuar rritje të vazhdueshme. Numri i vizitorëve shënon një rritje mesatare prej rreth 20 për qind nga viti në vit. Ky trend pozitiv ka bërë që numri i vizitorëve të jetë dyfishuar gjatë pesë viteve të fundit, krahasuar me periudhën parapandemike, përkatësisht me vitin 2019”, tha Kurti.
Sipas Kurtit, rritja e numrit të vizitorëve ka ndikuar edhe në kërkesën për shërbime të akomodimit dhe ushqimit, duke krijuar mundësi të reja punësimi.
“Fluksi i këtillë ka nxitur kërkesën për shërbime të akomodimit dhe të ushqimit, duke krijuar mundësi punësimi për shumë individë dhe familje. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 30 mijë persona janë të punësuar në sektorët e akomodimit dhe shërbimeve ushqimore, të cilët përbëjnë rreth 7 për qind të fuqisë punëtore në vendin tonë”, u shpreh ai.
Kurti ka theksuar gjithashtu rolin e institucioneve dhe operatorëve turistikë në promovimin e Kosovës në tregjet ndërkombëtare.
“Ky sukses i madh nuk ka ardhur vetvetiu; është rezultat i punës së përbashkët të institucioneve shtetërore, angazhimit të operatorëve turistikë dhe potencialit të madh që ofron Kosova. Përmes Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, ne po e promovojmë më fuqishëm Kosovën në tregjet ndërkombëtare, duke hapur mundësi të reja dhe duke synuar të tërheqim sa më shumë vizitorë nga mbarë bota”, tha Kurti.
Në fjalimin e tij, kryeministri ka folur edhe për Strategjinë e Turizmit të Kosovës 2030, duke thënë se synimi është zhvillimi i turizmit në të gjitha pjesët e vendit dhe krijimi i mundësive të reja të punësimit.
“Si Qeveri e Kosovës, kemi vendosur që turizmit t’i japim një rëndësi të veçantë kur e kemi hartuar Strategjinë për Turizmin e Kosovës 2030. Tani po avancojmë tutje, hap pas hapi, dhe synimi ynë përfundimtar është ta zhvillojmë turizmin në çdo cep të vendit tonë. Përmes zhvillimit të turizmit synojmë të krijojmë më shumë mundësi punësimi, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë”, ka thënë ai.
Kurti ka vënë në pah edhe trashëgiminë kulturore, natyrën dhe rolin e mërgatës në promovimin dhe zhvillimin e turizmit në Kosovë.
“Pasuria jonë nuk qëndron vetëm te natyra, nga majat e larta të Bjeshkëve të Nemuna deri te bukuritë malore të Sharrit. Ajo që na bën vërtet unikë janë njerëzit tanë, trashëgimia jonë kulturore, kalatë, monumentet, traditat dhe, mbi të gjitha, mikpritja jonë e ngrohtë – vlera që e prezantojnë Kosovën para botës. Dhe sigurisht, kjo pamje nuk do të ishte e plotë pa mërgatën tonë të fuqishme, ambasadorët tanë në botë, të cilët jo vetëm që sjellin miq dhe vizitorë në vendlindje, por po kontribuojnë gjithnjë e më shumë edhe përmes investimeve dhe ideve të reja në turizmin e Kosovës. Në të njëjtën kohë, mënyra se si njerëzit udhëtojnë, kërkojnë informacion dhe zgjedhin destinacionin po ndryshon. Edhe mënyra se si ne e zhvillojmë dhe promovojmë turizmin tonë, padyshim, duhet të ecë me kohën”, tha Kurti.
Një pjesë të fjalimit Kurti ia ka kushtuar edhe digjitalizimit dhe përdorimit të inteligjencës artificiale në turizëm. Ai ka prezantuar konceptin “ReTour”, të cilin e ka lidhur me temën globale të UN Tourism për digjitalizimin dhe inteligjencën artificiale.
“Në kuadër të temës globale të UN Tourism, “Digital Agenda and Artificial Intelligence to Redesign Tourism”, po niset edhe koncepti “ReTour”, që nënkupton ta shohim, ta rishohim dhe ta ridizajnojmë mënyrën se si e zhvillojmë dhe promovojmë turizmin në Kosovë, duke e lidhur potencialin tonë turistik me mundësitë që ofrojnë digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale. Në këtë Ditë Botërore të Turizmit, dua t’i falënderoj të gjithë ata që po e ndërtojnë këtë sektor çdo ditë dhe dua t’i ftoj të gjithë institucionet, komunat, bizneset, komunitetin, diasporën dhe partnerët tanë që ta bëjmë këtë punë së bashku”, u shpreh ai.
Në fund të fjalimit, kryeministri ka folur për rëndësinë e lidhjes së turizmit me sportet malore dhe sistemin arsimor, me qëllim që të nxitet vizita e natyrës dhe njohja më e madhe e vendeve turistike të Kosovës nga të rinjtë.
“Për brenda Kosovës është e rëndësishme që turizmin ta lidhim me sportet e bjeshkatarisë, ta lidhim me arsimin dhe sistemin e edukimit në përgjithësi, në mënyrë që të krijojmë kulturën e vizitës së natyrës dhe, në këtë mënyrë, të dimë për veten tonë më mirë, ashtu që sa më shumë të tjerë të mësojnë për ne. Ndoshta vjen një ditë, së shpejti, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, kur nuk do të kemi më 18-vjeçarë në Republikën e Kosovës që nuk kanë qenë në Gjeravicë, në Liqenat, në Luboten”, tha Kurti.
Ndërsa ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka folur për zhvillimin e turizmit në Kosovë, promovimin e vlerave kulturore e natyrore dhe bashkëpunimin me institucionet dhe sektorin privat.
Bogujevci tha se synimi është që vlerat e Kosovës të ndërthuren në një ofertë të pasur turistike.
“Dëshira jonë është që të ndërthurim vlerat tona brenda një oferte të pasur turistike, ku bëjnë pjesë natyra, trashëgimia kulturore, tradita, gastronomia dhe ngjarjet e shumta që e bëjnë të veçantë Kosovën tonë”, tha ajo.
Ajo përmendi edhe festivalet dhe ngjarjet kulturore, të cilat, sipas saj, janë të lidhura me zhvillimin e turizmit.
“Vlen të përmenden disa nga festivalet tona të mëdha që janë të ndërthurura me pjesën e turizmit tonë. Kemi DokuFest-in, Sunny Hill-in, Ethno Fest-in, Hasi Jonë, Hard Fest-in, Ulpiana Fest-in, Karnavalet e Lirisë e shumë e shumë të tjera”, u shpreh Bogujevci.
Ministrja tha se përvoja turistike shtrihet në qytete, fshatra, pranë lumenjve dhe në shtigje malore, ndërsa theksoi edhe licencimin e rreth 40 udhërrëfyesve turistikë.
“Konkretisht, licencimi i afro 40 udhërrëfyesve turistikë, disa nga ata në hiking e trekking, do të hapin shtigje të reja të turizmit malor që gjithnjë e më shumë njerëzit po e përqafojnë”, tha ajo.
Bogujevci foli edhe për punën në fushën e trashëgimisë kulturore, duke përmendur Janjevën, Parkun Arkeologjik të Ulpianës, qendrën historike të Prizrenit dhe Çarshinë e Madhe të Gjakovës.
“Puna po vazhdon me përpjekjet e trashëgimisë kulturore në qytetin e vjetër të Janjevës, hulumtimet arkeologjike të Parkut Arkeologjik të Ulpianës, ndërhyrjet në qendrën historike të Prizrenit, si dhe restaurimin e Çarshisë së Madhe të Gjakovës”, tha ministrja.
Ajo bëri të ditur se do të vazhdojë edhe puna në projekte të tjera të trashëgimisë kulturore.
“Më tej, do të vazhdojmë me restaurimin e Muzeut Kombëtar, avancimin e projekteve për muzetë e asetet e rëndësishme të trashëgimisë, si dhe realizimin e planeve të menaxhimit për të gjitha lokalitetet arkeologjike të Dresnikut dhe Ulpianës”, u shpreh Bogujevci.
Në fjalimin e saj, ministrja vlerësoi edhe bashkëpunimin me komunat, bizneset, profesionistët e sektorit dhe partnerët ndërkombëtarë në zhvillimin e turizmit.
Bogujevci falënderoi Qeverinë e Italisë dhe Bashkëpunimin Italian për Zhvillim për mbështetjen në zhvillimin e sektorit të turizmit, ndërsa mirënjohje shprehu edhe për Qeverinë e Zvicrës dhe Agjencinë Zvicerane për Bashkëpunim Ndërkombëtar për mbështetjen përmes projektit “PPSE”.
Ajo përmendi edhe kontributin e organizatave vendore dhe institucioneve në zhvillimin e sektorit.
“Një mirënjohje shumë e madhe për organizatat vendore, për kontributin e tyre të vazhdueshëm, por edhe individët në vendin tonë që kontribuojnë në vazhdimësi”, tha Bogujevci.
Në fund, ministrja uroi që konferenca të shërbejë për marrjen e ideve dhe propozimeve konkrete për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit.
“Uroj që gjatë këtyre ditëve në vijim do të kemi mundësi të marrim inpute konkrete në punën se si e zhvillojmë turizmin më tutje”, përfundoi ajo. /RTKlive