IKD: Dënimi me kusht nuk duhet të mbetet “kusht pa kushte”

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin “(Mos)kushtëzimi i dënimit me kusht”, i cili analizon mënyrën e zbatimit të këtij dënimi në praktikën gjyqësore në Kosovë.

Raporti fokusohet te detyrimet specifike që mund t’u caktohen personave të dënuar gjatë periudhës së verifikimit dhe te mënyra se si gjykatat i përdorin ato në praktikë.

Anesa Hoxha nga IKD tha se dënimi me kusht nuk duhet të kuptohet vetëm si pezullim i ekzekutimit të dënimit me burgim, por edhe si një mekanizëm që synon rehabilitimin e kryesit të veprës penale, parandalimin e përsëritjes së veprave penale dhe, kur është e mundur, adresimin e pasojave ndaj viktimës.

Sipas saj, detyrimet specifike i japin përmbajtje dënimit me kusht dhe e bëjnë atë më të matshëm e të kontrollueshëm.

Ndërkaq, gjetjet e raportit u prezantuan nga Gzim Shala, i cili tha se IKD ka analizuar 300 aktgjykime të viteve 2023, 2024 dhe 2025, në të cilat janë identifikuar 320 dënime me kusht.

Shala tha se detyrimet specifike përdoren shumë rrallë nga gjykatat. Nga 320 dënime me kusht, vetëm në 17 raste janë shqiptuar detyrime specifike, ndërsa vetëm 12 nga 300 aktgjykimet e analizuara kanë përmbajtur ndonjë detyrim të tillë.

Kodi Penal parasheh 15 lloje të detyrimeve specifike, por në rastet e analizuara janë përdorur vetëm gjashtë prej tyre. Ndër detyrimet e shqiptuara janë kompensimi i viktimës, ndalimi i përdorimit të alkoolit ose drogës dhe trajtimi mjekësor apo rehabilitues.

Sipas IKD-së, problem mbetet edhe mungesa e arsyetimit në aktgjykime. Në 288 raste ku është shqiptuar dënim me kusht pa ndonjë detyrim specifik, gjykatat nuk kanë shpjeguar pse një detyrim i tillë nuk ka qenë i nevojshëm.

Raporti ngre shqetësime edhe për mbikëqyrjen nga Shërbimi Sprovues. Në 23 raste është urdhëruar mbikëqyrja nga ky shërbim, por në 18 prej tyre nuk është përcaktuar ndonjë detyrim konkret që duhet të mbikëqyret.

IKD ka analizuar gjithashtu çështjen e përsëritjes së veprave penale. Në gjysmën e aktgjykimeve të shqyrtuara nuk është evidentuar nëse personi kishte qenë i dënuar më parë. Ndërkaq, në 28 raste ku aktgjykimi evidentonte të kaluarën penale të personit, gjykata sërish kishte shqiptuar dënim me kusht.

IKD rekomandon që gjykatat të japin arsyetime më të plota për shqiptimin e dënimit me kusht dhe për mosshqiptimin e detyrimeve specifike. Instituti rekomandon gjithashtu angazhim më të madh të prokurorëve në propozimin e këtyre detyrimeve, përfshirje më të qartë të Shërbimit Sprovues, si dhe më shumë trajnime dhe udhëzime praktike.

Sipas IKD-së, dënimi me kusht duhet të jetë një alternativë reale ndaj burgimit, me qëllim rehabilitimin, mbrojtjen e viktimës dhe parandalimin e përsëritjes së veprave penale. /RTKLive

Read Previous

Dardanët mobilizohen para Irlandës: Sonte të jetë festë e vërtetë në “Fadil Vokrri”

Read Next

Gordon kritikon Anglinë para sfidës ndaj Spanjës: Pse po përpiqemi të bëhemi si ata?!