Kurti: Kosovës t’i jepet pa vonesa statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që Kosovës t’i jepet pa vonesa të mëtejme statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në BE.

Kurti ka bërë të ditur se të mërkurën në New York mori pjesë në një drekë të shtruar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Sipas Kurtit, statusi kandidat për Kosovën do të ishte përgjigje e BE-së ndaj “besnikërisë së Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe përcaktimit të qartë strategjik euroatlantik”, si dhe nxitje për reforma dhe zhvillim të mëtejshëm.

Ai ka kritikuar faktin që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, i dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 në Pragë, vazhdon të mbetet pa përgjigje.

“Mbajtja në sirtar e aplikimit të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 në Pragë, përderisa jemi tërësisht të linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe kemi shënuar përparim të rëndësishëm në pothuaj tërë fushat, përveçse padrejtësi ndaj Republikës së Kosovës, do të ishte inkurajim i akterëve destabilizues rajonalë dhe më gjerë”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se Kosova “nuk duhet dhe nuk mund të mbetet peng” i Serbisë, të cilën e ka akuzuar për mbrojtje dhe glorifikim të personave të dënuar për krime lufte dhe gjenocid.

Kurti ka kritikuar gjithashtu qëndrimin e Serbisë lidhur me krimet e luftës dhe personat e zhdukur, duke thënë se Beogradi “mohon e fsheh krimet dhe refuzon të bashkëpunojë në zbardhjen e të vërtetës për të zhdukurit me dhunë”.

Ai e ka akuzuar gjithashtu Serbinë për vazhdimin e shkeljeve të të drejtave dhe spastrimit etnik administrativ ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. /RTKLive

Read Previous

​Prishtina planifikon tarifë për hyrje në unazën e brendshme, qytetarët e kundërshtojnë

Read Next

Rodri tregon se kush duhet ta fitojë Topin e Artë 2026