Kurti viziton shkollën në New York ku mësohet shqipja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar shkollën publike amerikane P.S. 108 Philip J. Abinanti në Bronx të New York-ut, ku për të dytin vit akademik po zbatohet programi dygjuhësh anglisht-shqip.

Programi, i cili nisi për herë të parë në shtator të vitit të kaluar, u mundëson nxënësve të mësojnë në të dyja gjuhët, duke përfshirë edhe shqipen në procesin e rregullt mësimor.

Kurti e ka cilësuar këtë nismë si një arritje të rëndësishme të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe ka theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës shqipe te brezat e rinj në mërgatë.

“Një arritje e rëndësishme e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe një shembull suksesi që duhet ndjekur e zgjeruar gjithandej, ashtu që gjuha shqipe, si themel i identitetit tonë, të ruhet e kultivohet brez pas brezi kudo në mërgatë”, ka shkruar Kurti.

Gjatë vizitës, Kurti u ka shpërndarë nxënësve abetare, fletore pune dhe libra leximi në gjuhën shqipe, duke theksuar se këto materiale janë pjesë e mbështetjes për mësimin e shqipes në diasporë.

Në postimin e tij, ai ka kujtuar edhe përpjekjet historike për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, duke përmendur arbëreshët e Italisë, Kongresin e Manastirit të vitit 1908 dhe veprimtarinë e Fan Nolit në Shtetet e Bashkuara.

Kurti ka thënë se diaspora shqiptare ka pasur rol të rëndësishëm në ruajtjen e gjuhës, dijes dhe kulturës shqiptare, ndërsa ka përsëritur se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të mbështesë iniciativa për mësimin e shqipes në mërgatë.

Ai ka falënderuar Mark Gjonajn dhe Drita Gjongecajn për nismën, si dhe drejtoren e shkollës, Stefania Cedrola Mustafa, ndërsa nxënësve u ka uruar mësim të mbarë./KultPlus.com

Read Previous

Radio Evropa e Lirë: Njeriu i 17 shkurtit nën hijen e 16 shtatorit

Read Next

Robotët që kërcejnë mahnitin Amerikën, Wu Yufei kalon në finalen e “America’s Got Talent”