Vrasja e efektivit të “Shqiponjave” në Maliq, Begaj: Policia nuk do të zmbrapset

Presidenti Bajram Begaj shprehu sot ngushëllimet për vrasjen në krye të detyrës të efektivit të Forcave “Shqiponja”, 34-vjeçarit Enea Mekolli në malin Boden, bashkia Maliq.

“Bashkohem thellësisht me dhimbjen për humbjen tragjike të jetës në krye të detyrës të policit Enea Mekolli dhe plagosjen rëndë të kolegut të tij, Edison Adri”, u shpreh Begaj.

Presidenti i shprehu familjes ngushëllimet dhe solidaritetin më të lartë në emër të shtetit shqiptar në këtë ditë mjaft të rëndë për ta.

Begaj i uroi shërim të plotë dhe sa më të shpejtë punonjësit të Policisë së Shtetit, i cili mbeti i plagosur.

“Policia e Shtetit nuk do të zmbrapset nga kjo humbje e do ta kthejë dhembjen në forcë e vendosmëri për të luftuar krimin në çdo skutë”, theksoi Begaj.

Kreu i Shtetit nënvizoi se, populli shqiptar është masivisht përkrah policisë në mbrojtje të sigurisë dhe rendit publik.

Efektivi i Forcave “Shqiponja” mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos nga sulmi me armë zjarri nga një person i kërkuar i cili u neutralizua dhe u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit gjatë një operacioni për kapjen e tij.

Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor E. M., 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor E. A., 36 vjeç (të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë)”  /ATSH/


Rama: Nderim përjetë dëshmorit të atdheut, ndëshkim maksimal për autorin

Kryeministri Edi Rama shprehu sot ngushëllimet për vrasjen në krye të detyrës të efektivit të Forcave “Shqiponja” E. M., 34 vjeç në malin Boden, bashkia Maliq.

Në një postim në rrjetet sociale Rama theksoi se do të ketë ndëshkim maksimal për të shumëkërkuarin dhe respekt maksimal për Policinë e Shtetit, që nuk do të ndalet asnjëherë në misionin e saj.

Kryeministri Rama tha se “gjatë një operacioni kurajoz për kapjen e një të shumëkërkuari, që prej vitesh i fshihej ligjit në malet e Korçës dhe në mënyrë të përsëritur kishte arritur t’u ikte rrethimeve të forcave të rendit, ka humbur jetën një efektiv policie e është plagosur një i dytë, ndërkohë që pasi ka hapur  zjarr ndaj tyre u plagos dhe u kap edhe krimineli”.

“Nderim përjetë dëshmorit të atdheut, ngushëllime familjes dhe shërim të shpejtë efektivit tjetër”, theksoi Rama.

Efektivi i Forcave “Shqiponja” mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos nga sulmi me armë zjarri nga një person i kërkuar i cili u neutralizua dhe u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit gjatë një operacioni për kapjen e tij.

Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor E. M., 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor E. A., 36 vjeç (të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë)” /ATSH/

Read Previous

Rama: Shqipëria po bëhet pikë referimi për arkitekturën ndërkombëtare

Read Next

Berisha: Po përgatitet antimiting në Vlorë ndaj protestës qytetare për Zvërnecin