Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Policia e Kosovës, në koordinim me Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka realizuar operacionin policor “SYRIGANA”, duke arrestuar pesë persona të dyshuar për krime lufte kundër civilëve.
Hetimet kanë lidhje me vrasjen e gjashtë civilëve shqiptarë në fshatin Syriganë, Komuna e Skenderajt, gjatë maj–qershor 1998, ku janë siguruar prova materiale dhe dëshmi relevante.
“Policia e Kosovës, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale e Republikës së Kosovës, ka realizuar me
sukses operacionin policor të koduar “SYRIGANA”, që ka rezultuar me arrestimin e pesë (5) personave të dyshuar
për krime lufte kundër popullatës civile.
Hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës, pas një pune intensive dhe hetimi
profesional, kanë zhvilluar veprime hetimore lidhur me vrasjen e gjashtë (6) civilëve shqiptarë në fshatin Syriganë,
Komuna e Skenderajt, gjatë periudhës maj–qershor 1998. Gjatë këtij procesi janë siguruar prova materiale dhe
dëshmi relevante, si dhe janë identifikuar persona të dyshuar, për të cilët është përpiluar kallëzim penal dhe
dorëzuar në Prokurorinë Speciale”, thuhet në komunikatë.
Operacioni u zhvillua më 1 mars 2026, në gjashtë lokacione – pesë në Skenderaj dhe një në Mitrovicën e Veriut – me mbështetje të Njësisë Speciale Operative.
“Në koordinim të vazhdueshëm me prokurorin e rastit, hetuesit kanë ndërmarrë veprime shtesë hetimore, konform
autorizimeve ligjore. Si rezultat i provave dhe dëshmive të grumbulluara, prokurori special ka autorizuar ndërmarrjen
e veprimeve për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve.
Sot, më 01.03.2026, duke filluar nga ora 06:00, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, të mbështetur
nga Njësia Speciale Operative, kanë realizuar planin operativ “SYRIGANA”, në gjashtë (6) lokacione të ndara – pesë
(5) në Komunën e Skenderajt dhe një (1) në Mitrovicën e Veriut – ku janë arrestuar pesë (5) persona të dyshuar”, thuhet tutje në njoftim.
Gjatë bastisjeve u konfiskuan armë të ndryshme, karikatorë, fishekë, një pushkë gjuetie, uniforma ushtarake dhe pjesë të ish-ushtrisë jugosllave.
Të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Gjatë zbatimit të operacionit, përmes prokurorit special është siguruar urdhër verbal për bastisje, i miratuar nga
Gjyqtari i Procedurës Paraprake në Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.
Bastisjet janë kryer në objektet e banimit dhe objektet përcjellëse, ku janë konfiskuar:
– 1 armë e gjatë gjysmë-automatike SKS, kalibër 7.62 x 39 mm
– 1 armë brezi e tipit Zastava M-57, kalibër 7.62 x 25 mm
– 2 karikatorë dhe 77 fishekë, kalibër 7.62 x 25 mm
– 1 pushkë gjuetie 12 GA (prodhim i ish-BRSS) me 17 fishekë dhe një rrethatore brezi
– Uniforma të ndryshme ushtarake dhe pjesë përbërëse të uniformave të ish-ushtrisë jugosllave
Me vendim të prokurorit special, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, për procedura të mëtejme
ligjore”, njofton Policia.
/Reporteri.net/