Kombet e Bashkuara po bëjnë përpjekje për të siguruar qasje në qytetin e kapluar nga uria, al-Fashir, në rajonin e Darfurit në Sudan, ku dëshmitarët kanë raportuar për hakmarrje masive që nga koha kur vendbanimi u mor nën kontroll nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë muajin e kaluar, tha shefi i ndihmave në OKB, Tom Fletcher.
Ai i tha agjencisë “Reuters” se do të jetë detyrë e madhe që t’i ofrohet ndihmë qytetit, i cili do të trajtohej si “skenë krimi” për hetime pas raportimeve për ekzekutime të vazhdueshme, arrestime e përdhunime.
Pas një vizite në Darfur e duke folur në N’Djamena të Çadit të martën në mbrëmje, Fletcher tha se nevojitet kalim i sigurt për punëtorët humanitarë që hyjnë në qytet dhe për të mbijetuarit që duan të largohen.
Më tej, zyrtari i OKB-së tha se bisedimet me Forcat e Mbështetjes së Shpejtë janë “super delikate”, por shpreson se Kombet e Bashkuara do të sigurojnë qasje brenda disa ditëve ose javëve, e jo muajve. “Ne do ta bëjmë punën e vështirë për të hyrë” – tha ai.
Rënia e al-Fashirit më 26 tetor e ka betonuar kontrollin e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë në rajonin Darfur gjatë luftës me ushtrinë sudaneze. Qyteti është shkëputur nga linjat e komunikimit që nga ofensiva e grupit paramilitar.
“Ka pasur mizori masive, ekzekutime masive, torturë masive, dhunë seksuale në shkallë të tmerrshme. Është një qytet që ka qenë nën rrethim për një kohë aq të gjatë, ata [banorët] do të kenë nevojë për ushqim, ujë, ilaçe” – tha më tej Fletcher.
“Një punë masive ndodhet para nesh” – shtoi ai.
Forcat e Mbështetjes së Shpejtë thonë se raportimet për mizori janë ekzagjeruar, por se është duke i hetuar rastet e abuzimeve nga trupat e saj. Gjykata Ndërkombëtare Penale ka thënë se është duke mbledhur dëshmi për dyshimet rreth vrasjeve masive dhe përdhunimeve në al-Fashir.