Përfaqësuesi i platformës qytetare, “Liria ka emër”, Ismail Tasholli nga protesta që bëri bashkë mijëra qytetarë si kundërshtim për aktgjykimin dënues ndaj katërshes së UÇK-së, tha se gjithë Kosova sot thotë: Jo në emrin tonë.
“Jemi bërë bashkë për të çuar një mesazh shumë të rëndësishëm. Nuk jemi bërë bashkë për shkak të partive politike, sot jemi bërë bashkë për ju. Sepse varri i dëshmorit nuk ka parti politike dhe liria nuk ka parti politike”, ka thënë ai.
“Është po ky shesh që në ’81-tën poashtu ngriti në këmbë të reja e të rinj për atë çka e besojnë, për të artikuluar atë çka e synojnë. Është po ky shesh që na ka bërë bashkë edhe në vitet e ‘90ta. E sot si në të gjitha kohërat, si në tetorit e 97-ës, simbolikën e rinisë kur është i gatshëm me fol për atë që nuk pajtohet dhe të sakrifikojë gjithçka për atë që synohet. Sot jemi në sheshin e Kosovës, Kosova e shqiptarët kudo që janë e kanë një adresë dhe një mesazh sot: Jo në emrin tonë”, tha Tasholli.
Në shesh janë mbledhur qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar pjesëmarrje masive në tubim.
Protestuesit po shprehin kundërshtimin ndaj aktgjykimit dhe po kërkojnë drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër” kanë bërë thirrje për vazhdimin e protestave edhe në ditët në vijim, ndërsa kanë kërkuar nga Qeveria dhe Kuvendi që të ndërmarrin veprime për shqyrtimin dhe procedimin e ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Protesta po zhvillohet nën moton “Jo në emrin tim”. /RTKlive