Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se kanë nisur pagesat e para për furnizim me tekste shkollore dhe materiale mësimore për nxënësit në Kosovë.
Sipas saj, që nga hapja e aplikimit më 15 gusht përmes platformës e-Kosova, janë pranuar gjithsej 183,226 aplikime. Procesi i verifikimit është duke u kryer nga koordinatorët e shkollave dhe drejtoritë komunale të arsimit (DKA-të).
Nagavci ka njoftuar se sot janë ekzekutuar pagesat e para, në vlerë prej 9,634,000 euro, duke përfshirë 120,425 aplikues. Ministrja ka bërë thirrje që prindërit dhe kujdestarët që ende nuk kanë aplikuar, ta shfrytëzojnë mundësinë në platformën e-Kosova, në mënyrë që të sigurohet se asnjë nxënës nuk do të mbetet pa libra dhe materiale shkollore.
Për prindërit që hasin në vështirësi teknike gjatë procesit të aplikimit, është ofruar ndihmë përmes numrave të telefonit dhe adresës elektronike të dedikuar.
Njoftimi i plotë i ministres Arbërie Nagavci:
Të dashur prindër,
Që kur është hapur aplikimi, më 15 gusht përmes platformës e-kosova, janë pranuar gjithsej 183.226 mijë aplikime për furnizim me tekste shkollore dhe materiale mësimore. Të gjitha aplikimet janë duke u verifikuar nga kordinatorët e shkollave dhe DKA-të.
Sot kemi filluar pagesat e para ku janë ekzekutuar 9.634.000,00 euro për 120.425 aplikues. Aplikimi do të vazhdojë të jetë i hapur në mënyrë që të sigurohemi që asnjë nxënës për çfarëdo arsye të mos mbetet pa tekste shkollore.
Në rast se gjatë procesit të aplikimit për tekste dhe mjete shkollore hasni në ndonjë vështirësi teknike, mund të kontaktoni në këta numra të telefonit dhe adresë elektronike:
+383 (0) 38 200 65 058
+383 45 834 248
[email protected]
Ju sigurojmë se çdo rast i adresuar do të trajtohet me prioritet dhe do të ofrohet ndihma e nevojshme për aplikim dhe përfitim të këtyre mjeteve.
Ftoj të gjithë prindërit dhe kujdestarët që nuk kanë aplikuar ende për fëmijët e tyre, të përfitojnë nga kjo mundësi përmes platformës e-Kosova.