Deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba ka komentuar dorëzimin e letrës së dorëheqjes të Liburn Aliut nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, duke thënë se ai ka pasur pakënaqësi për një çështje dhe e ka reflektuar në këtë mënyrë.
“Ka qenë një pakënaqësi dhe e ka reflektuar”- tha Zyba për KALLXO.com.
Zyba mohoi të ketë përçarje në Vetëvendosje, pasi që arsyeja që paraqiti Aliu për dorëheqje ishte zgjedhja e Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës.
“Jo, jo nuk ka çarje në Vetëvendosje. Edhe unë e lexova si lajm, si ju, te Liburni. Nuk ka përçarje në parti. Nuk bëhet fjalë për partinë, por për qëndrim të Liburnit. Për të tjera, biseda muj me ba kur ta takoj, por ende nuk e kam taku. E kish nda me publikun, me eprorin kryeministrin në këtë rast. E respektoj dhe e vlerësoj. Është qëndrim personal i tij. Nuk ka çarje”- tha Zyba.
I pyetur se a ka ai pakënaqësi për zgjedhjen e Bashës, ai tha “Jo”.
“Nuk kam pakënaqësi, se e kam votu vetë. Është proces i pandalshëm” – shtoi ai.
Deputeti Salih Zyba ka mbajtur pozita të rëndësishme brenda LVV-së, duke qenë anëtar i Kryesisë për dy mandate, pjesë e Këshillit të Përgjithshëm dhe kryetar i Qendrës së Lëvizjes në Therandë.
Aliu në njoftimin që bëri për dorëheqjen e tij, ka thënë se konsideruar që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, “nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”.
“Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit te kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim”- ka shkruar ai në Facebook.
Kurse, zëvendësministri në detyrë Hysen Durmishi, ka komentuar dorëzimin e letrës së dorëheqjes të Liburn Aliut nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, duke mohuar që ka përçarje në Vetëvendosje, por sipas tij ka mospajtime për çështje të caktuara.
Durmishi edhe pse i rezervuar të japë ndonjë koment në lidhje me vendimin e tij, për të cilin tha se nuk ka qenë në dijeni, ai tha për KALLXO.com se ky është qëndrim individual Aliut.
Mirëpo, Durmishi i pyetur se a është tregues ky vendim i Aliut i një përçarje në Vetëvendosje meqë ai nuk po e sheh të denjë të propozuarin e partisë për Kryetar Kuvendi, ai tha se Liburn Aliu nuk është as deputet, as nuk ka qenë kandidat për deputet e as anëtar i Kryesisë në Vetëvendosje.
“Nuk e di, pyetni Liburn Aliun për këtë çështje. Liburn Aliu nuk është deputet. Nuk ka qenë as kandidat për deputet. Nuk është anëtar Kryesie në Vetëvendosje. Do të thotë vendimet në Lëvizjen Vetëvendosje merren në strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje. është mënyra se si funksionon një organizatë politike. Ne mundemi me pas herë pas herë mospajtime për çështje të ndryshme, të cilat diskutohen në Këshill të Përgjithshëm, mandej në Kryesi. Por, kur merren vendimet me shumicë ato janë vendime demokratike të cilat respektohen pavarësisht ndonjë mospajtimi që mund ta ketë dikush”- u përgjigj Durmishi, kur u pyet se a do të thotë ky vendim i Aliut që është fundi i tij në Vetëvendosje. /Kallxo.com/