Dhuna në familje, disa të arrestuar brenda 24 orëve të fundit

Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona në raste të ndryshme në qytetet e Kosovës të dyshuar për përfshirje në rastet e dhunës në familje.

Më 23.08.2025 në Prishtinë, Policia ka pranuar një raportim se pas një mosmarrëveshje janë përleshur  dy të dyshuara gra. Të dyshuarat kanë refuzuar tretmanin mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

Policia në Kryeqytet ka arrestuar më 23.08.2025 dy të dyshuar burra dhe një grua pasi të njëjtit pas një mosmarrëveshje verbale janë përleshur fizikisht mes vete dhe kanë pësuar lëndime, me ç’rast kanë pranuar tretman mjekësor. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit kujdestar të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Në një tjetër rast në Prishtinë, Policia ka arrestuar një person i cili pas mosmarrëveshjes ka kanosur dhe sulmuar dy gra. Viktimave i është ofruar tretman mjekësor. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit kujdestar i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Në Kamenicë Policia ka arrestuar një person pasi që i njëjti e kishte sulmuar fizikisht një grua. Viktima nuk ka pranuar ndihmë mjekësore. Pas intervistimit me aktvendim të prokurorit kujdestar i dyshuari është ndaluar.

Në Pejë një grua ka raportuar se është ofenduar dhe sulmuar nga një burrë. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe e njëjta ka pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe rasti është nën hetime.

Në një rast tjetër në Pejë më 22.08.2025 një person ka raportuar se një person tjetër i ka dëmtuar veturën, dy xhama të objektit dhe disa gjëra tjera. Lidhur me rastin i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Një burrë në Pejë ka raportuar në Policinë e Kosovës se një person i cili gjendet jashtë vendit vazhdimisht po i dërgon mesazhe me përmbajtje kërcënuese përmes rrjeteve sociale atij dhe vajzës së tij. Në konsultim me prokurorin kujdestar është iniciuar rasti dhe është nën hetime.

Në Rahovec më 23.08.2025 është arrestuar një person pasi që në ndikim të alkoolit, kishte ushtruar dhunë psiqike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij  duke i shkaktuar lëndime trupore.

Policia ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit dhe sipas njoftimit për shkaqe sigurie është sekuestruar një pushkë gjuetie dhe 25 fishekë, për të cilën i dyshuari posedonte leje.

Me aktvendim të prokurorit kujdestar i dyshuari është ndaluar në qendrën e mbajtjes. /Kallxo.com

Read Previous

Prokuroria Speciale kërkon paraburgim ndaj serbit të dyshuar për sulm kundër KFOR-it dhe Policisë

Read Next

Meta apelon vendimin e GJKKO-së për arrest me burg