Revoltohet stafi i BBC-së: Mediumi po e luan rolin e zëdhënësit të Izraelit

Mbi 100 punonjës të BBC-së janë ankuar se transmetuesi publik është shndërruar në një zëdhënës për Izraelin. Ata i janë drejtuar me një letër drejtorit të përgjithshëm, Tim Davie, duke shprehur shqetësimin se korporata po i përshtatet një agjende politike dhe raportimi është larg me atë çka po ndodh realisht në Gazë.

Letra është nënshkruar edhe nga 300 gazetarë të tjerë dhe profesionistë të medias. Letra është publikuar nga platforma e njohur e gazetarit britanik, Owen Jones, dhe në artikullin e publikuar aty thuhet se punëtorët e BBC-së janë të gjithë anonimë për shkak të frikës se mund të përballen me pasoja në karrierë.

Ata i kanë bërë thirrje drejtuesve të BBC-së që t’i rikthehen vlerave “të paanshmërisë, ndershmërisë dhe raportimit pa frikë dhe favore”.

Në letër është thënë: “Po ju shkruajmë për të shprehur shqetësimin tonë lidhur me mungesën e transparencës në vendimmarrjen redaktoriale dhe censurën në BBC në raportimin mbi Izraelin dhe Palestinën. Ne besojmë se refuzimi për të transmetuar dokumentarin ‘Gaza: Medics Under Fire’ është vetëm një nga shumë vendimet e diktuara nga agjenda të caktuara. Ky veprim tregon, edhe një herë, se BBC-ja nuk po raporton ‘pa frikë apo favor’ kur bëhet fjalë për Izraelin”.

Më tutje thuhet se vendimi për të mos e transmetuar hetimin është marrë nga menaxhmenti i BBC-së, pavarësisht se përmbajtja ishte miratuar se ishte në përputhje me udhëzimet dhe politikën redaktoriale të BBC-së. Sipas punëtorëve, vendimi i menaxhmentit është politik dhe se kanë frikë se mund të shihen si kritikues të qeverisë izraelite.

“Ne nuk po i kërkojmë BBC-së të marrë anë. Ne po kërkojmë që të lejohemi të kryejmë punën tonë në transmetimin transparent të fakteve dhe me kontekstin e duhur. Shumë prej nesh, përpjekjet tona janë penguar nga vendimet e paqarta të marra nga nivele të larta në BBC, pa diskutim apo shpjegim. Dështimet tona ndikojnë audiencën. Si organizatë, ne nuk kemi ofruar ndonjë analizë domethënëse të përfshirjes së qeverisë britanike në luftën kundër palestinezëve. Ne nuk kemi raportuar mbi shitjet e armëve apo implikimet ligjore. Këto tema janë trajtuar për herë të parë jo nga ne, por media të tjera – konkurrentë tanë”.

Platforma “Owen Jones Battlelines” – ku është publikuar letra – ka shkruar se kjo është një prej shumë dështimeve skandaloze të BBC-së, i cili si transmetues publik është i detyruar ta mbajë qeverinë britanike përgjegjëse, por që nuk e ka bërë.

“Kjo nuk ka ndodhur aksidentalisht, por me qëllim. Një pjesë e madhe e raportimit të BBC-së në këtë fushë është definuar nga një qasje raciste kundër palestinezëve”, thuhet në letër.  

Madje, punëtorët e BBC-së kanë përmendur edhe një emër kyç të përfshirë në gjithë këtë skandal – Robbie Gibb. Ata kanë deklaruar se roli i tij brenda medias është “i papranueshëm”.

“Mënyra jokonsistente me të cilën zbatohen udhëzimet vë në qendër të vëmendjes rolin e Sir Robbie Gibb, anëtar i Bordit të BBC-së dhe i Komitetit për Standardet Redaktoriale. Ne jemi të shqetësuar që një individ me lidhje të ngushta me ‘The Jewish Chronicle’, një media që ka publikuar vazhdimisht përmbajtje kundër palestinezëve dhe shpesh raciste, ka ndikim në vendimmarrjet redaktoriale të BBC-së, përfshirë vendimin për të mos e transmetuar ‘Gaza: Medics Under Fire’”, kanë shprehur ata në letrën drejtuar udhëheqësve të mediumit.

Punonjësit e BBC-së përmes letrës janë ankuar se vetë kanë përjetuar censurën në emër të “paanshmërisë”. Siç kanë shprehur, në disa raste ata janë akuzuar se po veprojnë sipas ndonjë agjende për shkak se kishin publikuar artikuj kritik ndaj qeverisë izraelite në rrjetet e tyre sociale. Derisa, kanë theksuar se Gibb nga ana tjetër po vazhdon të ketë një rol kyç pavarësisht se dihen gjerë prirjet e tij ideologjike.

Punëtorët e mediumit britanik theksojnë se që nga fillimi i konfliktit më 2023, raportimi i BBC-së “nuk i përmbush as vetë parimet tona redaktoriale”.

“Ekziston një hendek midis mbulimit që ofron BBC-ja për atë që po ndodh në Gaza dhe Bregun Perëndimor dhe asaj që publiku sheh përmes burimeve të shumta të besueshme, përfshirë organizatat për të drejtat e njeriut, punonjës të OKB-së dhe gazetarë në terren. Derisa ka pasur në disa raste përmbajtje nga disa sektorë të BBC-së – si dokumentarë dhe disa korrespodentë – sektori i lajmeve në veçanti ka dështuar të raportojë mbi realitetin dhe kontekstin e luftës  kundër palestinezëve. Shpesh është krijuar përshtypja se BBC po kryente punën e PR-it (marrëdhënie me publikun) për qeverinë dhe ushtrinë izraelite.

Ndërsa punëtorët vazhdojnë të shprehin pakënaqësinë përmes letrës, shtojnë më tutje se edhe pse krimet e Izraelit kundër palestinezëve po shihen nga publiku dhe politikanët, “vendimet redaktoriale të BBC-së duken gjithnjë e më shumë jashtë realitetit”. Krejt këtë situatë e kanë vlerësuar edhe më urgjente pas përshkallëzimeve të fundit në rajon, ku stafi i BBC-së thotë se mbulimi i ngjarjeve nga mediumi ka minimizuar rolin e Izraelit, duke “e kompromentuar besueshmërinë tonë”. /Koha.net/

Read Previous

Sacchi: Conte, trajneri më i mirë në Serie A

Read Next

Apple po ndërton një kamerë që e sheh botën si syri i njeriut?