Në zemër të Pompeiit, Kopshti i lashtë i Herkulit është restauruar dhe rihapur për publikun pas përpjekjeve të gjata. E njohur gjithashtu si Shtëpia e Parfumierit, do të jetë e hapur për vizita çdo të martë si “Shtëpia e Ditës”. Vizitorët tani mund të ecin mes luleve dhe aromave që datojnë gati 20 shekuj më parë, duke përjetuar një kopsht që rrëfen shumë më tepër sesa një pasion i thjeshtë për gjelbërimin.
“Casa del Giardino di Ercole”, që daton nga shekulli III para erës sonë, është rikthyer në shkëlqimin e saj të dikurshëm përmes mbjelljes së 800 trëndafilave të lashtë, 1 mijë e 200 manushaqeve, 1 mijë bimëve ruskus, pemëve të qershisë, hardhive dhe pemëve të ftoit. Ky restaurim përfshiu ekspertë në arkeologji, botanikë dhe agronomi, të cilët bashkuan njohuritë e tyre për të rikrijuar kopshtin ashtu siç ishte dikur. Projekti përfaqëson një bashkëpunim të suksesshëm ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, duke sjellë një harmoni mes arkeologjisë, botanikës dhe kulturës materiale.
Gabriel Zuchtriegel, drejtori i Parkut Arkeologjik të Pompeit, shprehu entuziazmin e tij për projektin.
“Gjelbërimi i Pompeiit, që dikur perceptohej si problem, tani njihet si pjesë përbërëse e përvojës arkeologjike. Peizazhet natyrore dhe arkeologjike po bashkohen sërish, siç ishin në kohët e lashta”, ka thënë ai.
Zuchtriegel njoftoi gjithashtu një projekt inovativ me shoqatën “Rosantiqua” për të ringjallur kopshtin e lashtë në Shtëpinë e Herkulit, me synimin për ta bërë, siç thotë Virgili, “fushat të buzëqeshin”
Ky projekt u bë i mundur falë sponsorizimit teknik të shoqatës Rosantiqua”, e drejtuar nga Michele Fiorenza. Kontributet e studiuesve si Antonio De Simone, Salvatore Ciro Nappo, Michele Borgongino, Luigi Frusciante dhe Gaetano Di Pasquale ishin thelbësore për suksesin e projektit. Zyrtarët dhe teknikët e Parkut Arkeologjik të Pompeit ndoqën nga afër punimet, duke garantuar autenticitetin dhe saktësinë e procesit të restaurimit.
Rindërtimi i kopshtit u bazua në tekste dhe gjurmë të gjetura në tokë, së bashku me studimet e botanistes Wilhelmina F. Jashemski, e cila në vitet 1950 analizoi polenet, sporet dhe mbetjet e bimëve të zbuluara gjatë gërmimeve. U bë një përzgjedhje e kujdesshme e specieve botanike të dokumentuara në kohën romake, me qëllim për të ringjallur bimët që dikur kultivoheshin për aromën dhe vlerën e tyre tregtare.
Shtëpia e Kopshtit të Herkulit e merr emrin nga një statujë e vogël mermeri e Herkulit e cila tani është rindërtuar në terakotë dhe vendosur aty. Banesa ruan gjurmë të një veprimtarie të rafinuar artizanale dhe tregtare: prodhimi i parfumeve, duke treguar se ishte përfshirë në prodhimin dhe tregtimin e aromave. Gjatë gërmimeve janë zbuluar shishe qelqi, fara, mbetje bimësh aromatike dhe një sistem i lashtë ujitës — unik në Pompeii — që konfirmon funksionin prodhues të kopshtit.
Pas tërmetit të vitit 62 të erës sonë, pronari i shtëpisë ndërmori zgjerime për ta përshtatur për prodhim të specializuar. Në kohën e shpërthimit shkatërrues të Vezuvit në vitin 79 të erës sonë, shtëpia ishte në restaurim për shkak të dëmeve të mëparshme. Prodhimi i parfumeve dhe tregtia e luleve ishin ende aktive në zonë, duke ilustruar qëndrueshmërinë dhe shpirtin punëtor të banorëve të saj.
Shtëpia është gjithashtu e njohur për mbishkrimin “cras credo” të vendosur në hyrje, një dëshmi e veprimtarive tregtare që lulëzonin dikur brenda mureve të saj. Rikonceptimi i saj përfshiu restaurimin e nivelit origjinal të tokës dhe sistemit të lashtë ujitës, duke rikthyer në jetë jo vetëm një hapësirë fizike, por tërë një kulturë kujdesi, bukurie dhe parfumi në kohët romake./koha.net/