Kriza e ujit përshkallëzohet në Kabul

Kabuli rrezikon të bëhet qyteti i parë modern që mbetet plotësisht pa ujë të pijshëm, paralajmërojnë ekspertët, teksa nivelet e ujërave nëntokësore kanë rënë me 30 metra në dekadën e fundit. Sipas një raporti të organizatës ndërkombëtare Mercy Corps, urbanizimi i pakontrolluar dhe ndryshimet klimatike po e çojnë qytetin drejt një katastrofe ujore të pashmangshme, shkruan Gazeta Sinjali.

Rreth gjysma e puseve në qytet – burimi kryesor i ujit për mbi shtatë milionë banorë – janë tharë. Nxjerrja vjetore e ujit tejkalon kapacitetin natyror të rimbushjes me 44 milionë metra kub. Nëse ky trend vazhdon, të gjithë akuiferët mund të shterojnë plotësisht deri në vitin 2030.

“Duhet të ndërmerret një përpjekje urgjente ndërkombëtare për ta dokumentuar dhe përballuar këtë krizë,” deklaroi Dayne Curry, drejtoreshë e Mercy Corps në Afganistan, duke paralajmëruar se mungesa e ujit mund të nxisë zhvendosje masive dhe migrim të shtuar.

Krahas mungesës, edhe cilësia e ujit përbën rrezik serioz. Sipas raportit, deri në 80% e ujërave nëntokësore të Kabulit janë të ndotura me ujëra të zeza, arsenik dhe kripë. Kjo ka detyruar familjet të shpenzojnë deri në 30% të të ardhurave të tyre mujore për ujë, duke hyrë shpesh në borxhe për të mbuluar nevojat bazë.

“Afganistani ka shumë probleme, por mungesa e ujit është një nga më të rrezikshmet,” thotë Nazifa, një mësuese nga lagjja Khair Khana.

Ndërkohë, disa kompani private kanë përfituar nga situata duke hapur puse të reja dhe duke shitur ujë me çmime të larta, duke rënduar edhe më tej barrën ekonomike të qytetarëve.

Kabuli ndodhet në prag të një krize të thellë humanitare që kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet vendore dhe komuniteti ndërkombëtar për të siguruar të ardhmen ujore të qytetit.

Read Previous

Shkëmbimi i trupave të ushtarëve vonohet mes akuzave të ndërsjella mes Rusisë dhe Ukrainës

Read Next

Referendumi për shtetësi polarizon shoqërinë në Itali