Për një kohë të gjatë, vizitat te psikologu apo tek psikiatri në shoqëri janë parë si një alternativë e fundit, e rezervuar vetëm për rastet më ekstreme. Kjo qasje ende mbetet e pranishme në një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, ku psikologu shpeshherë perceptohet si një profesionist që merret vetëm me “të çmendurit”.
Ky etiketim i gabuar ka ndikuar ndjeshëm në krijimin e një kulture frike dhe turpi rreth kërkimit të ndihmës profesionale për çështjet emocionale dhe mendore.
Psikologu Dorjan Krasniqi, në një deklaratë për Albanian Post, thekson se për vite me radhë ndihma psikologjike është kërkuar vetëm në situata shumë të rënduara.
“Në kulturën tonë, njerëzit kanë kërkuar ndihmë psikologjike vetëm atëherë kur gjendja mendore ka qenë e rënduar, kur simptomat kanë qenë evidente dhe kanë rrezikuar jetën normale të individit apo edhe të tjerëve përreth”.
“Shpesh, ndërhyrja ka ndodhur jo në momentin e parë të nevojës, por vetëm kur situata ka dalë jashtë kontrollit dhe individi është bërë i rrezikshëm për veten apo të tjerët”, deklaron Krasniqi për AP.
Sipas tij, situata ka filluar të ndryshojë pozitivisht, sidomos në mesin e të rinjve.
“Ky ndryshim është ndihmuar nga thirrjet sensibilizuese në media, nga përfshirja më aktive e profesionistëve të fushës, si dhe nga ndikimi i globalizimit që ka unifikuar idetë rreth shëndetit mendor me pjesën tjetër të botës”.
Por, vlerëson se paragjykimet vijojnë të jenë pengesa më e madhe për ata që kanë nevojë për ndihmë.
“Paragjykimet na largojnë nga vetja, ato shpesh burojnë nga nevoja personale ose nga perceptime të trashëguara, duke na penguar të marrim ndihmën që na nevojitet”, shton Krasniqi.
Ai bën thirrje që të mos vazhdohet me refuzimin e ndihmës për shkak të frikës nga gjykimi, pasi që veprime të tilla mund të dërgojnë në pasoja serioze në përkeqësimin e shëndetit mendor të individit.
Sociologia Erisë Hajrizi, e vlerëson si thelbësore nevojën për edukim dhe hapësirë publike për diskutimin e shëndetit mendor.
“Një ndër arsyet kryesore pse njerëzit hezitojnë të kërkojnë ndihmë është mungesa e edukimit të duhur. Njerëzit nuk e kuptojnë saktë rolin e psikologut – dhe kjo nuk është vetëm faji i tyre”, thotë Hajrizi për Albanian Post.
Ajo sqaron se historia kolektive dhe sfidat e tranzicionit kanë ndikuar në formësimin e një mentaliteti të rremë të qëndrueshmërisë.
“Na është mësuar se duhet të jemi të fortë, të mos tregojmë dobësi, të mos qajmë. Në një ambient të tillë, të kërkosh ndihmë shihet si dobësi, jo si guxim”.
Më tej, Hajrizi vë në dukje praninë e një miti të rrezikshëm në kulturën shqiptare.
“Fatkeqësisht, shpesh dëgjojmë se vetëm ‘njerëzit e çmendur’ shkojnë te psikologu. Kjo ide e padrejtë e mban shumëkënd larg ndihmës që realisht i nevojitet”.
Ndër të tjera, propozon një qasje të re, të bazuar në komunikim të hapur, edukim dhe përfshirje të psikologëve në jetën publike.
“Të normalizojmë shprehje si ‘jam lodhur emocionalisht’ apo ‘dua të flas me një profesionist’. Është thelbësore që psikologët të jenë të pranishëm jo vetëm në raste krizash, por edhe në përditshmëri – në shkolla, në institucione, në media”.
Për Krasniqin dhe Hajrizin, përmirësimi i situatës nuk vjen vetëm nga profesionistët, por kërkon një ndryshim të gjerë kulturor, ku shëndeti emocional të mos trajtohet si temë e ndaluar, por si pjesë normale e diskursit shoqëror.
Në katër vitet e fundit, në Kosovë është hapur vetëm një Qendër e Shëndetit Mendor (QSHM), ajo në Deçan.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) kishte njoftuar se pandemia COVID-19 kishte shkaktuar një rritje prej 25 për qind të rasteve me probleme të shëndetit mendor, si ankthi dhe depresioni.
Gjatë kësaj periudhe, ishte raportuar për përkeqësim të situatës së shëndetit mendor edhe në Kosovë.
Qeveria e fundit, e udhëhequr nga Albin Kurti, kishte premtuar rritje të kapaciteteve për t’u ofruar ndihmë pacientëve pas infektimit me COVID-19, përfshirë edhe shërbimet e shëndetit mendor.
Po ashtu, ishte premtuar një fushatë e veçantë që do t’i kushtonte “kujdes të veçantë shëndetit mendor”, por shumica e këtyre premtimeve nuk u realizua./Albanianpost.com