​Shtrenjtimi i rrymës, si do të veprojë Avokati i Popullit ndaj vendimeve të ZRRE-së?

Institucioni i Avokatit të Popullit tani po i shqyrton dy ankesa, një lidhur me kalimin e bizneseve në tregun e lirë energjetik dhe tjetrën për rritjen e tarifave të energjisë elektrike prej gjashtëmbldhjetë – pikë një për qind, raporton KosovaPress.

Këto dy ankesa nga komuniteti i biznesit dhe Grupi “Asnjë cent më shumë”, sipas Avokatit të Popullit janë në shqyrtim dhe ky institucion do veprojnë konform procedurave ligjore.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, vlerëson se vendimet e fundit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) lidhur me kalimin e bizneseve në tregun e lirë dhe rritjen e tarifave të energjisë elektrike do të kenë pasoja të rënda për shtresat më të ndjeshme të popullatës dhe ekonominë nëpërgjithësi.

Avokati Qelaj në një deklaratë për KosovaPress se, pas analizës së bërë, Institucioni të cilin ai drejton ka konstatuar se implementimi në këtë periudhë i këtyre vendimeve është i dëmshëm, duke prekur në mënyrë të veçantë siç theksoi ai kategoritë sociale.

Ai kërkon pezullimin e vendimeve që kanë të bëjnë me rritjen e çmimit të energjisë elektrike, deri në përfundimin e hetimeve lidhur me ankesat e qytetarëve.

“Vendimi është atakuar në Gjykatë, është dërguar në gjykatë të rregullta me një kërkesë për masë të përkohshme dhe këto vendime i nënshtrohen ligjshmërisë, pra duhet të shkojë në procedurën gjyqësore. Ndërsa, avokati i popullit ka pranuara dy ankesa në këtë drejtim, një prej Odes Ekonomike të Kosovës në raport me vendimin që bizneset e caktuara duhet të kalojnë në tregun e lirë të energjisë dhe e dyta ka të bëjë me tarifën e rritjes në çmimin e kostos së energjisë elektrike. Ne jemi duke shqyrtuar këto ankesa, natyrisht kemi dërguar shkresë ZRrE-së, kemi pas edhe një takim konsultativ me ta, ka qenë bordi i ZRrE-së në takim. Janë munduar të arsyetojnë dhe kanë dhe kanë dhënë argumentet e tyre se janë institucion i pavarur, që mandat dhe përgjegjësi kanë për caktimin e tarifave. Ndërsa, pjesët tjera që lidhen me shqetësimet e ngritura nga qytetarë dhe nga ankesat e pranuara duhet të jenë pjesë e përgjegjësisë së qeverisë, sepse kështu e përcakton edhe ligji”, thekson Qelaj.

Ai thotë se rritja e tarifave ka ndikim të drejtpërdrejtë në të drejtat themelore të njeriut, “duke rënduar veçanërisht grupet më të cenueshme dhe familjet në asistencë sociale”.

“Në krejt analizën që kemi bërë, kemi konstatuar që zbatimi në këtë kohë i këtyre vendimeve mund të ketë pasoja të rënda për ekonominë, për jetën në Kosovë duke prek sidomos shtresat sociale, kategoritë e ndjeshme dhe grupet tjera të qytetarëve që mund të kenë pasoja të rënda nëse zbatohet kjo tarifë e energjisë. Kemi marrë një përgjigje nga ZRRE, ka qenë negative, ata konsiderojnë se vendimet e tyre janë të pakontestueshme dhe këto mund t’i anulojë ose ndryshojë, t’i pezullojë vetëm qeveria, por si duket nuk ka vullnet nga ana e qeverisë për një zgjidhje të kësaj natyre. Kështu ka mbetur me pa cilat do jenë hapat e mëtejmë qëavokati i popullit sipas ligjit mund t’i ndërmerr”, thotë ai.

Po ashtu, Avokati i Popullit konfirmoi se është pranuar edhe një kërkesë nga organizata “Asnjë cent më shumë” dhe grupe tjera të shoqërisë civile, që kanë dorëzuar padi në gjykatat e rregullta dhe kanë kërkuar që avokati të dalë me një opinion zyrtar drejtuar gjykatës.

“Kemi pranuar edhe një kërkesë prej organizatës “Asnjëcentë më shumë” dhe organizatave tjera, ata kanë dërguar një padi në gjykate të rregullta ku kanë kërkuar anulimin e këtyre vendimeve dhe kanë kërkuar nga ana ime me dalë me një opinion i avokatit të popullit që ja drejton gjykatës në raste të caktuara, me i ndihmu në qëndrimet e gjykatës. Dhe do t’i shqyrtoj të gjitha këto dhe do dalë me një opinion, raport ku do t’i adresojë të gjitha çështjet që lidhen merespektimin e të drejtave të njeriut dhe cenimin e tyre nëkëtë rast, nga këto vendime dhe besoj kjo do i ndihmojë edhe gjykatës në vendimmarrje”, nënvizon Qelaj.

Tarifat e reja u miratuan më gjashtëmbëdhjetë prill dhe kanë hyjrë në fuqi nga një maji. Ky vendimi për shtrenjtim nuk do të zbatohet në veri, ku jeton shumica serbe, pasi furnizimi dhe faturimi nuk bëhet nga KESCO, por nga kompania serbe Elektrosever, e licencuar më 2022, raporton KosovaPress.

Nga 1 maji ka hyrë në fuqi vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të energjisë elektrike prej gjashtëmbëdhjetë – pikë një për qind. Ky vendim i kundërshtuar nga qytetarët, të cilët organizuan edhe protesta. Ndërsa, padia karshi ZRRE-së u dorëzuan në fillim të këtij muaji.

Tashmë, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka marrë vendim që nga data 1 qershor të gjitha kompanitë e mëdha, konkretisht ato me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro të kalojnë në tregun e hapur të energjisë.Mësohet se numri i tyre është rreth një mijë e treqind.

Refuzimi i kërkesës për masën e sigurisë lidhur me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për shtrenjtimin e energjisë elektrike nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ishte konsideruar si një aktvendim i paqëndrueshëm nga përfaqësuesi ligjor i grupit “Asnjë cent më shumë”, Ardian Bajraktari, raporton KosovaPress.

Read Previous

Izraeli nis një ofensivë të re të zgjeruar në Rripin e Gazës

Read Next

Xabi Alonso kërkon përforcime në mesfushë për Real Madridin