Erdogan paralajmëron protestuesit në Qipro

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka reaguar ashpër ndaj protestave në Qipron Veriore, duke paralajmëruar qytetarët turko-qipriotë që të mos “mbjellin farat e urrejtjes”, në mes të një krize në rritje rreth përpjekjeve të perceptuara të Ankarasë për të islamizuar një nga komunitetet më laike myslimane në botë.

Gjatë një vizite të shkurtër të shtunën në territorin e pushtuar nga Turqia që prej vitit 1974, Erdogan inaugurroi një kompleks të ri presidencial dhe parlamentar, ndërsa u përball me reagimin e ashpër të popullsisë lokale ndaj një ligji të ri që lejon mbajtjen e shamisë në shkolla.

“Kushdo që përpiqet të prishë vëllazërinë mes nesh dhe të krijojë përçarje, nuk do të ketë sukses”, deklaroi ai.

Në një tjetër fjalim gjatë një festivali teknologjie, Erdogan u shpreh më drejtpërdrejt kundër protestuesve: “Nëse përpiqeni të ndërhyni me shamitë e vajzave tona në Republikën Turke të Qipros Veriore, më vjen keq, do të na gjeni kundër jush.”

Vetëm një ditë më parë, mijëra qytetarë kishin mbushur rrugët e Nikozisë veriore, duke protestuar kundër ndërhyrjes së Ankarasë dhe duke kërkuar ruajtjen e karakterit laik të shoqërisë.

Protesta u organizua nga mbi 100 sindikata dhe organizata civile, shumë prej të cilave mbështesin ribashkimin e Qipros si një federatë bikomunale.

“Mbani duart larg fëmijëve tanë dhe shoqërisë sonë,” deklaroi Selma Eylem, drejtuese e sindikatës së mësuesve, në një tubim pranë ambasadës së Turqisë.

Erdogan e përdori vizitën gjithashtu për të përsëritur vizionin e tij për një “zgjidhje me dy shtete” në Qipro, duke theksuar se çdo proces i ardhshëm negociues duhet të zhvillohet mes dy shteteve sovrane – një qëndrim që bie ndesh me dekadat e përpjekjeve për ribashkim të mbështetura nga komuniteti ndërkombëtar.

Ndërkohë, tensionet vazhdojnë të rriten. Kritikët e Erdoganit në veri të ishullit e shohin ligjin për shamitë si pjesë të një strategjie më të gjerë për të ndryshuar identitetin laik të komunitetit.

“Kjo është një përplasje kulturore,” tha Hubert Faustmann, profesor në Universitetin e Nikozisë. “Qipriotët turq ndihen gjithnjë e më shumë si pakicë në tokën e tyre.”

Protestuesit janë zotuar të vazhdojnë lëvizjen e tyre kundër ndikimit të Ankarasë dhe ndërhyrjes fetare në jetën publike.

“Feja nuk ka qenë kurrë ndarje mes nesh,” tha aktivisti veteran Şener Elcil. “Por tani duan ta bëjnë edhe shkollat tona pjesë të kësaj lufte ideologjike. Duhet të ngremë zërin, më shumë se kurrë.”/Top Channel

Read Previous

​Caktimi i datës së zgjedhjeve lokale, presidentja ende nuk i ka ftuar partitë

Read Next

Apeli pezullon vendimin për rinisjen e punës së VOA