Një javë pas fillimit të shkëmbimit të ashpër të sulmeve mes Izraelit dhe Iranit, kryeministri izraelit, Benyamin Netanyahu, ka deklaruar se Tel Avivi është i vendosur të ndalojë programin bërthamor të Iranit, pavarësisht qëndrimit të Shteteve të Bashkuara.
“Qëllimi ynë kryesor është të ndalojmë programin bërthamor të Iranit dhe të eliminojmë kërcënimin. Qëllimi i dytë është të ndalojmë kapacitetet balistike të Iranit.
Nëse Trump do të marrë pjesë apo jo, kjo është zgjedhja e tij. Ai do të bëjë atë që është më mirë për Shtetet e Bashkuara. Unë do të bëj atë që është më mirë për Izraelin”, tha Netanyahu në një intervistë televizive.
Deklarata e tij vjen pasi më 13 qershor Izraeli kreu një sulm të gjerë kundër Iranit, goditje që synuan infrastrukturën bërthamore, bazat ushtarake, radarët dhe drejtues të lartë të ushtrisë iraniane.
Irani u kundërpërgjigj me sulme raketore ndaj territorit izraelit. Përplasjet vazhdojnë edhe sot, duke e përshkallëzuar rrezikshëm tensionin në rajon. /GazetaSinjali/