Tarifat e reja të Trumpit hyjnë në fuqi

Blerësi mesatar i veturave nuk mendon se nga vijnë pjesët për automjetin e tij, por prodhuesit sigurisht që mendojnë.

Kjo është arsyeja pse raundi i ri i tarifave amerikane, këtë herë për pjesët e automjeteve, mund të tronditë industrinë e automjeteve më shumë se tarifat e mëparshme për veturat e importuara.

Tarifat e mëparshme nuk prekën veturat e prodhuara në SHBA.

Tani situata është ndryshe, asnjë nga dhjetë milionë veturat e prodhuara vitin e kaluar në fabrikat amerikane nuk u montua pa të paktën disa pjesë të importuara.

Tarifat e reja për pjesët mund t’i kushtojnë industrisë dhjetëra miliarda euro dhe kostoja mund të përfundojë duke u paguar nga shoferët amerikanë.

“Sinqerisht, nga këndvështrimi im, tarifat për pjesët duken më keq për ekonominë më të gjerë sesa tarifat për automjetet e gatshme”, tha Jonathan Smoke, kryeekonomist në Cox Automotive.

Sipas të dhënave të qeverisë, më shumë se 50% e përmbajtjes së veturave të montuara në SHBA është nga pjesë të importuara.

Por tarifat nuk do të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjitha këto importe, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Për shembull, pjesët nga Kanadaja ose Meksika, prodhuesit e të cilave u paguajnë punëtorëve 16 dollarë në orë ose më shumë, konsiderohen në përputhje me Marrëveshjen Tregtare SHBA-Kanada-Meksikë (USMCA), e cila u negociua në mandatin e parë të Donald Trump.

Kjo do të thotë që shumica e pjesëve kanadeze do të përjashtohen nga tarifat, ndërsa relativisht pak pjesë meksikane do ta kenë atë privilegj.

Dhe rritja e çmimeve të pjesëve nënkupton rritje të çmimit të automjetit.

Megjithatë, për blerësit e veturave, rritja e çmimeve mund të mos jetë menjëherë e dukshme.

CEO e General Motors, Mary Barra, tha se tarifat do t’i kushtojnë kompanisë së saj midis 3.7 miliardë dhe 4.6 miliardë dollarë këtë vit, por ajo nuk pret që çmimet të rriten së shpejti.

Por amerikanët mesatarë mund të ndiejnë ende rritje çmimesh diku tjetër, si për shembull tek mekanikët.

“Tarifat për pjesët do të rrisin inflacionin në segmentet e riparimit, mirëmbajtjes dhe sigurimit, gjë që prek çdo amerikan, jo vetëm ata që mendojnë të blejnë një veturë të re”, tha Smoke.

Sipas rregullave të reja, çdo veturë e montuar në SHBA me 85% të pjesëve në përputhje me marrëveshjen USMCA do të përjashtohet nga tarifat.

Problemi është se pothuajse asnjë automjet nuk e arrin atë prag, sipas një analize nga Frank DuBois, profesor në pension në Universitetin Amerikan.

Ndryshe, industria e automjeteve ka funksionuar për dekada sikur Amerika e Veriut të ishte një treg i vetëm, me pjesë që lëviznin vazhdimisht midis SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës pothuajse pa doganë.

“Përcaktimi i origjinës së përmbajtjes po bëhet gjithnjë e më kompleks”, tha DuBois, “në nivele aq të detajuara sa origjina e vajit dhe antifrizit”.

Përveç 17.8 miliardë eurove në pjesët kanadeze që janë kryesisht të përjashtuara, shumica e pjesëve të tjera të importuara nuk do ta kenë këtë privilegj.

Për shembull, Meksika eksportoi pjesë me vlerë 76.6 miliardë euro në SHBA vitin e kaluar – deri tani më së shumti nga të gjitha vendet.

Megjithatë, shumica e këtyre pjesëve nuk janë në përputhje me USMCA, kështu që ato do t’i nënshtrohen detyrimeve doganore.

Nëse tarifat aktuale (duke përfshirë taksat shtesë për mallrat kineze) do të ishin vendosur vitin e kaluar, kostoja totale do të ishte rreth 55 miliardë euro.

Edhe me rregullat e shpallura për kthimin e një pjese të parave, kjo kosto do të binte vetëm në rreth 37 miliardë euro.

“Rimbursimi i disa tarifave është vetëm një përpjekje për ta bërë një situatë të keqe pak më pak të keqe”, përfundon Smoke. /Telegrafi/

Read Previous

Mbi 1800 gjoba trafiku u shqiptuan për 24 orë

Read Next

Sonte finalja e basketbollit Bashkimi – Trepça