“Reuters”: Evropa do t’u japë investitorëve perëndimorë miliarda euro nga fondet e ngrira ruse

Rrjeti i tregut financiar “Euroclear” planifikon që të konfiskojë dhe të rindajë rreth 3 miliardë euro nga fondet e ngrira të Rusisë, të cilat janë ngrirë në kompaninë belge pasi Moska ua mori paratë e gatshme investitorëve në Rusi, sipas personave të afërt me çështjen dhe sipas dokumenteve që i ka parë agjencia e lajmeve “Reuters”.

Të hollat do të përdoren për t’i kompensuar investitorët perëndimorë, pasi Moska muajve të fundit sekuestroi para të gatshme që po mbaheshin në Rusi, thanë tre persona, duke i eskaluar përpjekjet e të dyja palëve që të rikthejnë miliarda euro fonde të prekura nga lufta në Ukrainë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Euroclear”-i do të rindajë 3 miliardë euro nga një fond prej 10 miliardë eurosh para të gatshme që u përkasin entiteteve dhe individëve rusë që janë goditur nga sanksionet evropiane pas fillimit të pushtimit të plotë rus të Ukrainës më 2022.

Kjo lëvizje shënon një nivel të ri të hakmarrjes nga Evropa. Bashkimi Evropian e ndryshoi regjimin e sanksioneve në fund të vitit të kaluar, duke e lejuar rishpërndarjen e fondeve për investitorët perëndimorë në rrethana të tilla.

Në të kaluarën, Perëndimi ka realizuar hua dhe pagesa për Ukrainën nga interesi mbi asetet e ngrira ruse. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka quajtur vjedhje këtë veprim.

Pagesa e planifikuar nga kompania belge u nxit nga urdhrat e qeverisë ruse për konfiskimin e miliarda eurove të investitorëve perëndimorë vitin e kaluar. /Nacionale/

Read Previous

Zelensky thotë se takimi me Trumpin në Vatikan ishte ‘më i miri’

Read Next

Pranvera nis me mbarësi për blegtorin Gjokë Dedaj nga fshati Bec