FMN: Shqipëria mes ekonomive me rritjen më të shpejtë në Evropë

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka deklaruar të martën e 26 nëntorit se Shqipëria është në rrugën e duhur për të qenë “një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë të Evropës në vitin 2024”.

Pas një zgjerimi prej 3.9 për qind në vitin 2023, stafi i FMN-së parashikon një rritje reale të PBB-së prej 3.6 për qind këtë vit, e nxitur nga konsumi i brendshëm, turizmi dhe aktiviteti i ndërtimit.

Misioni i FMN-së për Shqipërinë, i cili u udhëhoq nga Anke Weber, vlerësoi performancën dhe perspektivën ekonomike të vendit gjatë konsultimit me autoritetet shqiptare.

Ekonomia e Shqipërisë ka parë një rritje të fortë vitet e fundit, e nxitur nga politikat e kujdesshme makroekonomike dhe lulëzimi i turizmit. PBB-ja është shumë mbi nivelet para pandemisë, vëren agjencia kryesore financiare e Kombeve të Bashkuara.

Vendi ka arritur përmirësime të konsiderueshme fiskale, duke ulur borxhin publik, ndërkohë që politikat monetare proaktive dhe rënia e çmimeve globale të mallrave kanë kontribuar në dezinflacion, vëren raporti i misionit.

Inflacioni pritet të arrijë në 2 për qind në fund të 2024-ës, nën objektivin prej 3 për qind.

Pavarësisht pamjes pozitive makroekonomike, Shqipëria përballet me sfida strukturore, duke përfshirë një PBB të ulët për frymë, plakjen e popullsisë dhe emigracionin.

Çështjet e qeverisjes dhe dobësitë institucionale pengojnë rritjen e biznesit, pavarësisht progresit në reformat e sundimit të ligjit, shton raporti.

Sipas tyre, për të mbështetur rritjen dhe për të siguruar përfshirjen, Shqipëria duhet të trajtojë këto çështje strukturore duke ruajtur stabilitetin makroekonomik.

Perspektiva fiskale është e favorshme, me Shqipërinë e vendosur të tejkalojë objektivin e buxhetit për vitin 2024, por qeveria synon një qëndrim më të lirë fiskal në vitin 2025.

FMN-ja projekton konsolidimin e kufizuar fiskal në afat të mesëm, me borxhin publik që pritet të ulet në rreth 50 për qind të PBB-së deri në vitin 2029.

Agjencia financiare e OKB-së rekomandon një suficit primar modest nga 2025-2029 për të përmirësuar qëndrueshmërinë fiskale, duke përfshirë reformat në administratën tatimore dhe efikasitetin e shpenzimeve.

Presionet afatgjata të shpenzimeve, veçanërisht nga pensionet, kujdesi shëndetësor dhe përshtatja klimatike, do të kërkojnë reforma më ambicioze fiskale dhe pensionale, shton stafi i FMN-së në raportin e tij.

Zgjerimi i bazës tatimore, racionalizimi i përjashtimeve nga taksat dhe përmirësimi i sistemeve të mbledhjes së taksave janë thelbësore për të rritur të ardhurat, theksuan ekspertët e agjencisë.

Me inflacionin nën objektiv, FMN-ja sugjeron se Banka e Shqipërisë mund të ulë në mënyrë modeste normat e interesit nga viti i ardhshëm, për të mbështetur stabilitetin e çmimeve dhe për të shmangur luhatjet e kursit të këmbimit.

Kursi fleksibël i këmbimit konsiderohet efektiv si një amortizues, vijon FMN-ja, por mund të nevojiten ndërhyrje të synuara në valutë në përgjigje të faktorëve jothemelorë.

Ata nënvizuan se sektori bankar shqiptar është i mirëkapitalizuar, por ka rreziqe që lidhen me ekspozimet e mëdha të huamarrësve dhe rritjen e kredisë në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Misioni i FMN-së rekomandoi forcimin e mëtejshëm të mbikëqyrjes bankare, rritjen e masave makroprudenciale dhe përmirësimin e kuadrit ligjor për tregjet e obligacioneve dhe parasë.

Në përmbyllje, ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar u shprehën se reformat e qeverisjes, duke përfshirë verifikimin gjyqësor, masat kundër korrupsionit dhe forcimin e kornizave të LPP/LFT, janë kritike për krijimin e një mjedisi të shëndoshë biznesi. /Albanianpost.com

Read Previous

Memoriali kushtuar daljes së parë publike të UÇK-së, fakt i rëndësishëm historik

Read Next

Kosova regjistron renditjen më të lartë ndonjëherë në FIFA