Shqipëria synon financimin e jashtëm ushtarak të SHBA-ve

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu vizitoi të enjten Pentagon-in (selia e Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-ve), ku zhvilloi po ashtu takime me zyrtarë amerikanë.

Siguria dhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes mes SHBA-ve dhe Shqipërisë në funksion të agjendës së NATO-s, ishin disa nga temat e diskutimit me nënsekretaren e Mbrojtjes për Politikat, Amanda Dory.

“Biseduam gjithashtu për Financimin e Huaj Ushtarak nga pala amerikane, për një modernizim gjithëpërfshirës të kapaciteteve të Mbrojtjes të Forcave tona të armatosura, duke e ndërlidhur dhe me prioritetin e qeverisë shqiptare për rijetëzimin e industrisë tonë ushtarake”, theksoi në median e tij sociale titullari i institucionit.

Ky hap i ndërmarrë u përforcua edhe gjatë intervistës me transmetuesin “Zëri i Amerikës”.

“Aktualisht jemi në një fazë, ku jo vetëm po marrim mbështetje bilaterale por edhe duam që të financojmë përmes instrumenteve të rinj që ka krijuar Pentagon-i dhe Departamenti i Shtetit për vendet aleate, që janë kreditë që jepen në dispozicion të aleatëve për të bërë investime domethënëse në modernizim. Pra, ne po kalojmë nga një fazë ku kishim donacion, në një fazë ku ne do të bëjmë investime të përbashkëta. Pra, është një etapë e re në marrëdhënien e bashkëpunimit ushtarak midis Shqipërisë dhe SHBA-ve”, pohoi Vengu.

Albanian Post kontaktoi me zyrën e shtypit pranë Pentagon-it, të cilët theksuan se “nuk kemi asgjë të re për të njoftuar ose ndonjë informacion shtesë për të ofruar përtej leximit zyrtar”.

“Udhëheqësit diskutuan përparimin e bërë në marrëdhëniet dypalëshe të mbrojtjes SHBA-Shqipëri, mundësitë që Shqipëria të zhvillojë dhe përmirësojë aftësitë e saj ushtarake, si dhe perspektivat për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësinë e rajonit për sigurinë euroatlantike”, shkruhet në njoftimin e Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-ve.

Pentagon-i nënvizon në vijim se palët “theksuan gjithashtu nevojën për përmirësimin e përpjekjeve industriale të mbrojtjes”, për t’u përfshirë nëpërmjet NATO-s.

Vengu shtoi se autoritetet kanë bërë konsultime për sa i përket mundësisë që të marrin edhe një miratim nga Kongresi Amerikan, DASH-i dhe të gjithë aktorët vendimmarrës për mundësinë e kësaj kredie domethënëse.

“Shqipëria ka kapacitetet fiskale dhe financiare që të ndërmarrë një veprim të tillë, të marrë një kredi nga Shtetet e Bashkuara të dedikuar për programe modernizimi të forcave të armatosura. Është një instrument dhe program relativisht i ri, që Shtetet e Bashkuara e kanë zbatuar me sukses me vende aleate si Polonia, Rumania, Kroacia dhe Lituania”, ravijëzoi ai.

Për më shumë se pesëdhjetë vjet, ndihma e huaj ka qenë një formë thelbësore e angazhimit të SHBA-ve në botën në zhvillim, shkruan “Atlantic Council”.

“Për të çuar përpara interesat e saj, Shtetet e Bashkuara kanë dhënë hua, asistencë teknike dhe mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore për vendet në zhvillim për të nxitur rritjen ekonomike dhe forma më përfaqësuese të qeverisjes”, shkruan think-tank amerikan.

Financimi i Jashtëm Ushtarak (FMF) është një burim financimi dhe mund t’i jepet një vendi partner ose në bazë të grantit (të pakthyeshëm) ose të huasë direkte, vëren Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes.

Mekanizmi FMF është i rezervuar për partnerët më të rëndësishëm të bashkëpunimit të sigurisë të Washington-it dhe mandaton shpenzimet për armët e prodhimit amerikan.

Sekretari i Shtetit përcakton se cilat vende do të kenë programe ndërsa Sekretari i Mbrojtjes ekzekuton programin.

Shpenzimet e SHBA-ve për ndihmën e huaj kohët e fundit tejkaluan 70 miliardë dollarë në fondet e përvetësuara për herë të parë në 70 vjet, tregojnë të dhënat e reja, shkruan US News.

Këto, të nxitura nga mbështetja e vazhdueshme e Izraelit dhe një rritje e fondeve për Ukrainën në mes të luftës së vendit me Rusinë.

Rumania dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruan më 25 shtator, një marrëveshje kredie të drejtpërdrejtë me vlerë 920 milionë dollarë nëpërmjet Financimit të Jashtëm Ushtarak.

Bukureshti zyrtar mund të ketë qasje në këtë financim për të forcuar kapacitetin e saj të mbrojtjes duke ofruar pajisje moderne për ushtrinë ose duke zhvilluar industrinë vendase të mbrojtjes, tha qeveria.

Më 8 tetor, SHBA-të ranë dakord që t’i japin Polonisë një hua prej 3.08 miliardë dollarësh për blerjen e armëve amerikane nën programin e FMF-së.

Kjo shënonte kredinë e tretë të Financimit të Jashtëm Ushtarak në një vit për Poloninë, duke e çuar shumën totale në 7.08 miliardë dollarë.

Shpenzimet ushtarake globale arritën një rekord prej 2.44 trilionë dollarë në vitin 2023, duke u rritur me 6.8 për qind krahasuar me një vit më parë.

Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes në Stokholm (SIPRI), kjo është rritja më e madhe e përqindjes në shpenzimet e mbrojtjes që nga viti 2009 dhe viti i nëntë fiskal radhazi gjatë të cilit shpenzimet ushtarake janë rritur.

Shtetet e Bashkuara shpenzuan 916 miliardë dollarë për mbrojtjen vitin e kaluar, që përfaqëson 37.5 për qind të shpenzimeve ushtarake globale.

US News shkruan se sipas sondazheve të opinionit publik, shumica e amerikanëve besojnë se shpenzohet shumë nga buxheti federal për ndihmën e huaj.

Një studim i kaluar i Fondacionit “Kaiser Family” zbuloi se të anketuarit vlerësuan se ndihma e huaj përbën mesatarisht 26 për qind të buxhetit federal.

Në realitet, ndihma e huaj zakonisht përbën më pak se 1 për qind të trilionave të dollarëve në shpenzimet federale.

Megjithatë, SHBA-të japin më shumë para në ndihmë të huaj në dollarë se çdo vend tjetër në botë, duke shpërndarë më shumë se 640 miliardë dollarë globalisht nga 2012 deri në 2022.

Shifrat paraprake për vitin 2023 aktualisht tregojnë se ndihma e huaj e SHBA-ve mund të jetë ulur në rreth 45 miliardë dollarë, por të dhënat janë të paplota, përmbyll US News./albanianpost/

Read Previous

Real Madridi i përgjigjet interesimit të Arsenalit për Arda Guler

Read Next

Leverkuseni synon rezultate pozitive pas pushimit