Kampet e azilkërkuesve në Shqipëri, një zgjidhje e re për migracionin drejt BE-së

Vitin e kaluar, kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkroi një marrëveshje me Shqipërinë për të ndërtuar kampe pritjeje.

Synimi i Romës është që të pengojë emigrantët nga udhëtimet e rrezikshme detare drejt Italisë.

Në Shqipëri, autoritetet italiane do të transferojnë personat e shpëtuar nga zona e ujërave ndërkombëtare të Mesdheut, kompetencë e kontrollit italian.

Së pari, azilkërkuesit do të mbërrijnë në portin e Shëngjinit, ku një kamp i vogël tashmë është gati për pritjen e tyre.

Ata do të regjistrohen atje, t’u merren shenjat e gishtave dhe të dhënat e tjera – para se të transferohen në Gjadër.

Më pak se një muaj më parë, i pari që do të shfaqte interes konkret për këtë skemë azilantësh, do të ishte kryeministri britanik Keir Starmer.

Madje, ai u fokusua në tre teste për të vlerësuar nëse transferimi i azilantëve në det të hapur do të ishte i zbatueshëm me Shqipërinë apo me një vend tjetër.

Radhën do ta kishin para pak ditësh edhe Grupi i Shtatë vendeve të pasura demokratike (G7), të cilët zgjidhjen e Italisë po e “shohin me shumë interes”.

G7 përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Japonia, Gjermania, Britania, Franca, Italia dhe Kanadaja.

Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, deklaroi se kampet do të bëhen funksionale në javët e ardhshme, duke shtuar se nisma italiane në Shqipëri ishte ndër temat e diskutuara në mbledhjen e ministrave të G7-ës.

“Është një zgjidhje që të gjithë po e shohin me shumë interes”, garantoi zyrtari italian.

Tema është gjithnjë e më aktuale.

Kryeministri hungarez Viktor Orbán mbështeti në mënyrë eksplicite krijimin e “hotspot-eve jashtë BE-së” ku do të ndaloheshin azilkërkuesit gjatë shqyrtimit të kërkesave të tyre, sipas modelit të qendrave për riatdhesimet të krijuara nga qeveria italiane në Shqipëri.

“Kufijtë evropianë duhet të mbrohen. Ju siguroj se pa vendosjen e hotspot-eve të jashtme, ne nuk do të jemi në gjendje të mbrojmë BE-në nga imigracioni i paligjshëm”, deklaroi Orban.

Hungaria, e cila mban presidencën e rradhës të BE-së, do të përdorë diskutimet në Këshill si bazë për samitin e liderëve evropianë të planifikuar për 17-18 tetor.

Kreu i Fidesz-it diktoi recetën e tij në Strasburg, duke kërkuar që të ecet përpara me idenë e hotspot-eve të jashtme si një “zgjedhje inovative”.

“Fjala magjike, sot e quajnë zgjidhje inovative, është hotspot-i i jashtëm. Nëse nuk mund të biem dakord që ata që duan të hyjnë duhet të ndalojnë në kufi dhe të aplikojnë për azil atje, ne nuk do të mund të ndalojmë kurrë emigracionin”, referoi Orban.

Gazeta italiane “Huffington Post” raporton sakaq se në javën e ardhshme “Këshilli Evropian pritet ta miratojë atë”, referuar kërkesës së presidencës hungareze të BE-së.

Zyra për media e Këshillit Evropian nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment të Albanian Post, lidhur me këtë çështje.

Edhe Pakti i ri për Migracionin dhe Azilin i cili është fokusuar në “dimensionin e jashtëm” të migracionit, nuk mjafton më.

Shtetet anëtare të BE-së tashmë po shtyjnë drejt një politike gjithnjë e më të ngurtë migracioni.

Ndërsa Shengen është në një ngërç funksional, kancelaritë do të dëshironin një goditje të mëtejshme për riatdhesimin e emigrantëve të paligjshëm, për të larguar fizikisht “mysafirët e padëshiruar”.

Në vitet e ardhshme, një nga disbalancat më të dukshme do të jetë në politikën e migracionit, ku duhet të presim një shtrëngim të rregullave komunitare.

Vetë miratimi i Paktit të Ri për azilin dhe migracionin, një nga përpjekjet e fundit të legjislaturës së kaluar, kishte dhënë një pamje paraprake të drejtimit në të cilin Bashkimi Evropian po ecën gjithnjë e më shpejt.

Sipas të dhënave të Eurostat-it, në vitin 2023 mbi 484 mijë qytetarë të vendeve të treta kanë marrë urdhra për t’u larguar nga territori i Bashkimit Evropian dhe prej tyre pak më pak se 19 për qind janë riatdhesuar.

Dhe kështu, një tjetër nga idetë që duhet të diskutojnë ministrat e 27 vendeve të Unionit është ajo që ka të bëjë me forcimin e partneriteteve me vendet e treta për të adresuar “shkaqet rrënjësore” të migrimit të parregullt. /Albanianpost.com

Read Previous

Gjeneralmajor Barduani merr komandën e KFOR-it

Read Next

Barcelona ka kërkuar nga stafi i Xavit që t’i kthejë në klub pajisjet Apple