Nedim Bajrami ka dhënë intervistën e parë si lojtar i Rangers. Numri 10 i kuqezinjve tanë do të jetë gati për ndeshjen e nesërme në kampionatin skocez, pas dy sfidave eliminatore të Ligës së Kombeve që luajti si titullar me kombëtaren më 7 dhe 10 shtator.
Gjatë prezantimit me këtë rast në ekipin e ri, 26-vjeçari zbuloi para mediave si u bë transferimi nga Sassulo te Rangers, çfarë lloj lojtari është dhe çfarë duhet të presin tifozët prej tij në këtë aventurë të re në karrierë. Faqja zyrtare në internet e klubit të njohur skocez i ka dedikuar shkrimin e mëposhtëm Bajramit, bashkë me deklaratat e tij për gazetarët në konferencën për shtyp:
“Ai nuk ishte i përfshirë në ndeshjen e fundit, para pushimit ndërkombëtar, por luajti për kombëtaren e tij kundër Ukrainës dhe Gjeorgjisë. 25-vjeçari është në radhë për të bërë debutimin e tij me Rangers, në udhëtimin jashtë fushe të së dielës, ndaj Dundee United. E vërteta është se Nedim Bajrami mezi pret ta fillojë këtë aventurë të re skoceze, pas asaj në Serie A.
Duke folur për mediat zyrtare të klubit të ri, numri 10 i kuqezinjve nënvizoi: “Kur dëgjova se Rangers më kërkonte, u emocionova nga ky fakt. Agjenti im dhe unë shkuam në Londër dhe të nesërmen fluturova në Glasgow, më pas shkuam në Ibrox.
Kam nënshkruar ditën e fundit, ishte një ditë stresuese, por ndihem vërtet i lumtur që iu bashkova Rangers, një klub kaq i madh dhe me shumë histori. Më pas u largova për në ekipin kombëtar, kështu që sot (dje) ishte seanca ime e parë stërvitore. Ishte e mrekullueshme t’i takoja të gjithë.
Ne kemi një dhomë zhveshjeje të mirë, ndihem shumë i lumtur tashmë. Kam luajtur kundër Vaclav Cerny, kështu që e njoh. Jam gati të luaj në ndeshjen e radhës. Sapo kam luajtur dy ndeshje për Shqipërinë, por varet nga trajneri nëse më aktivizon të dielën apo jo
Kemi presion çdo javë këtu. Megjithatë jam i lumtur për këtë presion, më pëlqen. Unë gjithmonë do të bëj më të mirën për ekipin. E kaluara është e kaluar, të dielën na pret një sfidë e rëndësishme kundër Dundee United. Më pëlqen të luaj me topin, do të përpiqem të shënoj sa më shumë gola, të jap asiste për ta ndihmuar ekipin”.
Bajrami pranon se ishte një vendim i thjeshtë për ta shkëmbyer skuadrën italiane Sassuolo me një sfidë të re në Ibrox: “Kam luajtur në Itali për pesë vitet e fundit, atje futbolli është shumë taktik. Kam folur me disa lojtarë që kanë luajtur më parë në Skoci para ardhjes te Rangers. Ata më thanë gjëra të mira për Skocinë dhe futbollin këtu.
Më pëlqen të luaj përpara, të asistoj dhe të shënoj. Bëj gjithçka për ta ndihmuar ekipin. Mund të luaj në krahun e majtë, por preferoj të luaj edhe si ‘10”. Sidoqoftë, do të luaj aty ku më kërkohet nga trajneri.
Nëse dikush është në një pozicion më të mirë për gol se unë, më pëlqen ta asistoj. Trajneri dëshiron të luajë futboll të mirë, mua me llogarit në pjesën ofensive. Mendoj se mund ta ndihmoj ekipin me përvojën ndërkombëtare që kam. Unë jam ende i ri, por kam shumë përvojë dhe dua ta shfrytëzoj. Synoj të përshtatem sa më shpejt që të jetë e mundur, qëllimi im këtu është të fitoj trofe, të bëj më të mirën për ekipin dhe tifozët”. /Telesport.al/