Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin e Administrit të Pushtetit Lokal, ka vizituar të enjten Komunën e Dragashit, pas vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e mëdha të shiut, duke u ofruar ndihmë institucioneve qendrore në tejkalimin e rimëkëmbjen nga dëmet e shkaktuara.
“Kryeministri Kurti i falënderoi institucionet lokale për angazhimin e tyre dhe ofroi ndihmën e tij dhe të institucioneve qendrore në tejkalimin e rimëkëmbjen nga dëmet e shkaktuara, për të cilat do të ketë vlerësim adekuat nga komisioni përkatës. “Qeveria do të jetë pranë jush dhe pranë qytetarëve”, u shpreh ai”, thuhet në komunikatë për media.
Teksa kryetari i Komunës së Dragashit, Behxhet Xheladini e njoftoi Kurtin mbi situatën në terren dhe dëmtimet e evidentuara në infrastrakturë, për të cilat theksoi se ka nevojë për ndërhyrje urgjente dhe falënderoi atë për vizitën dhe ministrin Krasniqi për bashkëpunimin dhe komunikimin e rregullt.
Për shkak të reshjeve të shiut në Kosovë, ditëve të fundit ka pasur vërshime.
Reshjet e shiut që kanë nisur të shtunën kanë shkaktuar vërshime në disa qytete të Kosovës, duke bërë që shumë shtëpi, rrugë e toka të përmbyten.
Edhe më 20 maj, ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ishte mobilizuar që t’u dalë në ndihmë bizneseve që kanë pësuar nga reshjet e shiut.
Shirat e furishëm shkaktojnë shpesh vërshime në Kosovë.
Gjatë viteve të kaluara vazhdimisht është raportuar për dëme në shtëpi, biznese, kultura bujqësore dhe rrugë. /Albanianpost.com