“Çështja e lirisë së informacionit është një nga më të rëndësishmet sot dhe dua të falënderoj Reporterët pa Kufij për raportin e tyre depërtues”.
Kështu është shprehur Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një postimi në X – dikur Twitter, sa i takon raportit të organizatës “Reporterët Pa Kufij”, ku shihet se Shqipëria ka shënuar përkeqësim të lirisë së shtypit duke e renditur e fundit mes vendeve të rajonit dhe shteteve kandidate për në Bashkimin Evropian.
“Ne do ta analizojmë me kujdes, do të konsultohemi me të gjitha palët përkatëse dhe do të ndërmarrim veprime të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin mediatik, për të mbrojtur lirinë e informacionit, për të luftuar dezinformimin dhe për të forcuar të drejtat e gazetarëve”, shtoi kreu i qeverisë.
Ky i fundit tha ndër të tjera se “ne jemi shumë të shqetësuar nga gjetja kryesore e raportit: se liria e medias është nën kërcënim globalisht”.
“Qeveria shqiptare është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë e nevojshme për të ndihmuar në përballjen e kësaj tendence”.
The issue of freedom of information is one of the most important today and I want to thank Reporters Without Borders for their insightful report. We will analyse it carefully, consult with all relevant parties and take further action to improve the media environment, protect…
— Edi Rama (@ediramaal) May 3, 2024
Organizata “Reporterët Pa Kufij” vlerëson se mjedisi për lirinë e shtypit në Shqipëri “është i vështirë”. Ajo ka humbur tre vende krahasuar me një vit më parë, kur listohej e 96-ta.
“Në Shqipëri, pavarësia editoriale kërcënohet nga rregullat me frymë partiake. Gazetarët bien viktima të krimit të organizuar dhe hera herës të dhunës policore, e nxitur nga dështimi i qeverisë për mbrojtjen e tyre”.
Së bashku me Serbinë, Shqipëria përballet me rënien më të madhe në Indeks në shtetet e të Ballkanit Perëndimor.
Në Indeksin i fundit vjetor Botëror mbi Lirinë e Shtypit hartuar nga kjo organizatë, vërehet se mungesa e vullnetit politik për mbrojtjen e të drejtave të medias po përshpejton rënien e lirisë së saj.
Gjetjet e Indeksit mbështeten në faktin se nga pesë treguesit e përdorur për të bërë renditjen përkatëse, më shumë ka rënë treguesi politik, duke regjistruar një rënie mesatare vjetore globale prej 7.6 pikë.
“Një numër shtetesh dhe autoritetesh politike në rritje nuk po e pëmbushin rolin e tyre si garant të mjedisit më të mirë të mundshëm për gazetarët si edhe të së drejtës së opinionit publik për të marrë informacion të besueshëm, të pavarur dhe të larmishëm. Organizata ‘Reporterët pa Kufij’ vëren një rënie shqetësuese të mbështetjes dhe respektimit të pavarësisë së media dhe rritje të trysnisë nga shteti ose aktorë të tjerë politikë”, thuhet në Indeksin e bërë publik në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.
Indeksi e klasifikon nivelin e shtypit si “të mirë”, “të kënaqshëm”, “problematik”, “të vështirë” ose “shumë të rrezikshëm”. Norvegjia renditet e para për të tetin vit radhazi, ndërsa tre vendet e fundit, me gjendjen më të keqe të lirisë së shtypit në botë janë Afganistani, Siria dhe Eritrea.
Në raport vërehet se “interesat politike krijojnë një atmosferë mbytëse për gazetarët në shumë vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si Bosnje-Herzegovinë (renditur e 81-ta), Serbia (e 98-ta) dhe Shqipëria (e 99-ta). Turqia (e 158-ta) vazhdon të burgosë gazetarë dhe të minojë median nëpërmjet censurës në median on line dhe kontrollit mbi pushtetin gjyqësor”.
Rënie e mëtejshme është shënuar në Evropën Lindore dhe në Azinë Qendrore, ku liria e shtypit nuk është e garantuar dhe ku mediat përdoren gjithnjë e më shumë në fushata dezinformimi. Shteti rus (renditet i 162-ti) ka vazhduar sulmin kundër gazetarisë së pavarur, ndërsa mbi 1 mijë e 500 gazetarë janë larguar jashtë vendit pas agresionit rus ndaj Ukrainës. /Albanianpost.com