Pretendohet për dëm 600 mijë euro në blerjet e rezervave shtetërore, Muja: Dosja e Prokurorisë ka gabime elementare

Prokuroria Speciale e Kosovës ka gjetur se përpos procedurës së kundërligjshme që është ndjekur në blerjet e rezervave shtetërore ka edhe shkelje të tjera pasi malli i paguar s’ka mbërritur në Kosovë.

Kështu, sipas dosjes së Prokurorisë, pavarësisht se janë paguar paratë te kompanitë turke e polake për grurë, vaj e sheqer në Kosovë nuk kanë ardhur kurrë 200 mijë litra vaj, 120 mijë kilogramë sheqer dhe 52.5 tonelata grurë. Vlera e këtij malli që nuk ka mbërritur në Kosovë, sipas Prokurorisë, është mbi 600 mijë euro.

Lidhur me këtë ka reaguar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja duke thënë se kjo dosje ka gabime elementare.

“Dosja e prokurorit është e shkoqitur nga konteksti dhe ka gabime elementare. Me gjasë zyrtarët janë arrestuar pa u dëgjuar fare”, thotë Muja në reagimin e tij në Facebook.

Ai ka shtuar duke thënë se nuk janë të vërteta pretendimet se është shkelur procedura e prokurorimit, e as se është kufizuar konkurrenca.

“Është dëmtuar buxheti për 601,000 euro – ose po mungon një shpjegim shtesë ose Prokurori nuk e din matematikën elementare. Do të duhej të ishte 301,384 euro jo 601,000 euro. Në dosje thuhet se 276,000 euro vaj/sheqer ende nuk ka ardhur dhe mungojnë 52.5 tonë (25,383 mijë euro). Çmimi i negociuar i grurit dhe vajit – është brenda margjinës së çmimeve në berzë gjatë mars 2022 (460-500 për ton). Çmimi i negociuar në kontratën e MINT ka qenë 484 euro për ton. Në rast se në çmim është përfshirë edhe transporti, mund të jetë kontratë shumë e favorshme për atë kohë. Çmimi i vajit të negociuar ishte afërsisht 1.1 euro – më lirë se çmimi në tregun e Kosovës në atë kohë. Për rikujtim çmimi i vajit në Kosovë ato ditë kishte shkuar në 3.49 euro për litër”, ka shtuar ai.

Muja ka thënë se dosja nuk specifikon afate kohore se kur duhej të arrinte malli, e nuk specifikohet nëse ka të bëjë me vonesë apo mungesë.

“Vetëm prokurorët e gjykatësit në Kosovë e kanë luksin e kohës”, përfundon Muja.

Në dosjen e Prokurorisë, thuhet se biznesmeni Ridvan Muharremi ishte personi kyç që kishte zhvilluar negociatat me operatorët ekonomikë për blerjen e grurit, vajit e sheqerit.

Muharremi ngarkohet se në mënyrë të kundërligjshme kishte ndihmuar Irfan Lipovicën dhe Haviz Garën. Iu kishte krijuar kushte për negocimin me kompanitë turke e polake për blerjen e grurit, vajit dhe sheqerit.

/Telegrafi/

Read Previous

Nuk ka pasur kurrë kaq shumë banorë të rinj në Zvicër, shteti helvet pritet të rritet

Read Next

Subvencionimi për izolimin e shtëpisë, Fondi për Efiçiencë mbyll para kohe thirrjen: Janë pranuar mbi 2,000 aplikime