Ambasada amerikane: Sulmet ndaj gazetarëve shkelin parimet thelbësore demokratike

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka deklaruar se sulmet ndaj gazetarëve shkelin parimet thelbësore e demokratike.

Në llogarinë e saj në Twitter, kjo ambasadë ka shpërndarë një deklaratë të bërë nga Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i cili ka thënë se SHBA-ja do të vazhdojë të mbrojë punën e guximshme dhe të nevojshme të gazetarëve në mbarë botën.

“Sulmet ndaj gazetarëve ose ndërhyrja në pavarësinë dhe lirinë e tyre të shprehjes shkelin parimet thelbësore demokratike. Media luan një rol thelbësor në luftimin e korrupsionit, sigurimin e llogaridhënies dhe transparencës dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve në një demokraci”, thuhet në postimin e ambasadës amerikane.

Ndryshe, të martën mbrëma në Kosovë është sulmuar fizikisht gazetari dhe opinionisti, Valon Syla. Tre persona u arrestuan si të dyshuar për këtë rast.

Sulmi fizik ndaj Sylës e ka çuar në dhjetë numrin e rasteve të dhunës dhe kërcënimeve që ka regjistruar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) deri më tani këtë vit.

/Telegrafi/

Read Previous

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” nënshkruan marrëveshje shërbimi me Postën e Kosovës

Read Next

Vitia takohet me ambasadorin e Belgjikës, flasin për investimet në Shëndetësi