Ambasadori francez në Beograd: Plani evropian është një mundësi historike

Ambasadori i Francës në Beograd, Pierre Cauchard, në një intervistë për “Euronews Serbia”, ka thënë se Kosova duhet të themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, edhe atë pa vonesa, ashtu siç e kanë kërkuar Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

“Asociacioni duhet të formohet, shpejt. Kjo është ajo që e kanë thënë Franca, SHBA dhe BE, që të mos ketë hezitim. Është proces i bindjes, por në këtë kuptim gjërat janë plotësisht të qarta. Asociacioni duhet të formohet”, tha ai.

Ai tha se ngjyrimet e reja në arkitekurën gjeopolitike të Evropës pas agresionit rus në Ukrainë, e ka shtuar urgjencën dhe nevojën për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë që do t’i hapte rrugën stabilitetit në rajon.

Kur folur për propozimin e BE-së me të cilin synohet normalizimi i marrëdhënieve mes palëve, gjërësisht i njohur si propozimi franko-gjerman, diplomati francez nënvizoi se paraqet “mundësi historike dhe është me rëndësi që të mos lëshohet”.

“Është propozim i vënë në tavolinë dhe shpresojmë që të dyja palët ta pranojnë atë. Duam që vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë mundësi që të zhvillohet shpejt dhe t’i bashkohen BE-së”, shtoi Cauchard.

Ambasadori theksoi se palët negociuese, në pajtim me palët ndërmjetësues, kanë vendosur që në këtë fazë të mos zbulohet dokumenti në publik, në mënyrë që të gjithçka të jetë më efektive dhe t’i mundësohet secilit që të marrë pozicion lidhur me dokumentin, pa ndonjë presion shtesë.

Ndryshe, sa i përket propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ndonëse i njëjti u është dorëzuar dy vendeve në fund të verës së vitit të kaluar, përmbajtja e tij nuk është bërë akoma publike.

Ky propozim, të cilin e pati publikur ekskluzivisht Albanian Post, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe garanci shtesë për komunitetin serb në Kosovë.

Në dokument nuk përmendet ekskluzivisht njohja e ndërsjellë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.

Por, autoritetet kosovare dhe ato serbe kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket përfundimit të procesit. Përderisa Prishtina kërkon që një marrëveshje finale të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë. /Albanianpost.com

Read Previous

Xhudoja hijeshoi flamurin e Kosovës

Read Next

15 vjet shtet, Begaj: Rruga euroatlantike e Kosovës është përpara